Dëshpërim i thellë tek Barcelona pas humbjes në finalen e Kupës së Mbretit

schedule17:15 - 26 Maj, 2019

schedule 17:15 - 26 Maj, 2019

Atmosferë e tensionuar tek Barcelona pas humbjes së finales së Kupës së Mbretit ndaj Valencias. Ky ishte dështimi i dytë i madh i katalanasve, pas eleminimit në Champions.

Çfarë do të ndodhë pas këtij dështimi?

Fantazmat e Liverpulit i kishin marrë me vete edhe në stadiumin “Benito Vijamarin” të Seviljes.

Futbollistët e Barcelonës, me në krye Lionel Mesin dhe trajnerin Valverde, pësuan tronditjen e dytë radhazi, pasi Valencia i mundi në finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa tani mendohet për pasojat.

Katalanasit kishin 4 herë radhazi që triumfonin në këtë konkurrim, sapo kishin dalë për herë të dytë kampionë të Spanjës, por kur gjyqtari vërshëlleu fundin, atmosfera ishte sikur dështimi ishte total.

Nga ëndrra për triumfin e trefishtë La Liga-Champions-Kupa e Mbretit, Barça u detyrua të kënaqej vetëm me titullin spanjoll.

Çfarë po ndodh pra, me skuadrën të cilësuar si më të mirë në botë, vetëm pak javë më parë?

Gazetat bënë paralajmërimin.

“El Mundo Deportivo”: Valencia kampione e Kupës, një tjetër goditje! Pas nokautit të “Anfildit”, Barça dorëzon edhe Kupën! Ekipi ka nevojë për një diagnostikim!

“Sport”: Mesi është i vetmuar! Barça mbyll sezonin duke humbur finalen e Kupës së Mbretit! Presidenti Bartomeu: Nuk ishte faji i trajnerit Valverde”.

“Kur humbet natyrisht nuk je i lumtur, – ishin fjalët e Valverdes, – por, gjithsesi unë jam i kthjellët dhe i qetë. Nëse do të kishim fituar do të isha I lumtur, por humbja është pjesë e futbollit. Më vjen keq që nuk përmbushëm pritshmëritë e tifozëve, por një trajner mendon gjithnjë për revanshin, pas një humbjeje”.

Me këtë fitore, trajneri Marselino Garsia Toral i dha fund një serie prej 20 ndeshjesh pa sukses ndaj Barcelonës.

“Kjo është dita më e lumtur e karrierës sime, – u shpreh ai, – ishte triumfi i parë. Gjithnjë ka një herë të parë, një finale të parë, dhe një fitore të parë. Falenderim i madh për lojtarët, për ndihmësit e mi dhe për tifozët që më bënë njeriun më të lumtur në botë”.

Kevin Gameiro shënoi në minutën e 22-të për Valencian, Rodrigo Moreno shtoi të dytin në 33’, ndërsa për Barcelonën nuk mjaftoi goli i Mesit në të 73-ën.

Valencia e meritoi suksesin, duke luftuar më shumë, sidomos duke e izoluar Mesin në pjesën e parë, ndërsa mungonte edhe Suarezi i dëmtuar.

Nuk bëri punë fakti se Barça mbajti topin 77 për qind, as që gjuajti 26 herë drejt portës, në krahasim me 9 të kundërshtarit.

Rëndësi kishin gjuajtjet në kuadrat (6-4), dhe sidomos golat (1-2).

Festa e fituesve të rinj ishte plotësisht e ligjshme në stadium, dhe jashtë tij, në një darkë speciale të organizuar nga klubi.

Vetë Mesi u largua i dëshpëruar nga stadiumi “Benito Vijamarin”, duke refuzuar të fliste për mediat.

Tashmë, priten ndryshime të rëndësishme në “Kamp Nou”, ku i pari mund ta pësojë trajneri Ernesto Valverde. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!