Dëshmi tronditëse për dhunën seksuale nga serbët, Shehu: Ishte vetëm 17 vjeç kur lindi fëmijën

schedule08:40 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 08:40 - 26 Dhjetor, 2019

Janë dhjetëra gra dhe vajza të tilla të cilat marrin ndihmë psikologjike në qendrën Medica në Gjakovë.

Kemi biseduar me Veprore Shehun drejtuesen e kësaj qendre, për të na folur ndjesitë e këtyre grave dhe vajzave, si po rehabilitohen ato, çfarë ka ndodhur me to ndër vite, dhe për një temë edhe më të dhimbshme që ka të bëjë me fëmijët e lindur si pasojë e dhunës seksuale që kanë përjetuar këto gra gjatë luftës.

Intervista e plotë:

Linda Karadaku: Gratë që vijnë në këtë qendër dhe marrin ndihmë nga ju ju thërrasin Lola, Lola do ju thërras edhe unë. Shenja që mbani në xhaketë çfarë është?

Veprore Shehun: E kam një dhuratë të veçantë, sepse këtë vit, në nëntor, kishim 20 vjetorin e themelimit të shoqatës. Kemi filluar me përkrahjen e këtyre grave të traumatizuara nga lufta,  në gusht të vitit 1999. Në veçanti ato që kanë përjetuar dhunimet seksuale gjatë luftës. Ma kanë dhuruar një Organizatë, Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës në Prishtinë, është punim me dorë nga vetë të mbijetuarat, të cilat momentalisht janë duke marrë përkrahjen. Ato janë nga Drenasi.

Linda Karadaku: Kam intervistuar një zonjë e cila ishte viktimë e dhunimit seksual gjatë luftës dhe pjesë e një grupi të madh grash dhe vajzash që janë mbatur rob dhe janë dhunuar për ditë të tëra. Nga informacionet që ju merrni, si e keni përjetuar këtë, cfarë shikoni ju tek ato gra?

Veprore Shehun: Kur kjemi përballur për herë të parë me këtë temë , menjëherë pas luftës, si staf kemi mbetur të tronditur. Është një temë mjaft tabu, e mbyllur për shoqërinë tonë, por fillimisht ka qenë e mbyllur edhe për ne si staf. Në një lloj mënyre nuk ndiheshim të sigurta se si do ti qaseshim kësaj teme, kaq të mbyllur, kaq stigmatizuese dhe se si do ti ndihmonim këto gra. Fillimisht ka qenë një fazë akute e traumës dhe e mbaj mend shumë mirë kur kam ardhur 3 muajt e parë në puën, në fillim të vitit 2000, kishim në trajtim jo kaq të madh sa tani. Kishim diku te 5-6 fshatra që kishim filluar ti trajtonim, shkonim me autoambulanca për ti trajtuar fizikisht dhe mendërisht. Ka qenë strategji që tu qasemi këtyre grave përmes autoambulancave në mënyrë që të mos stigmatizoheshin gratë dhe të kishim mundësi për të biseduar me to, fillimisht rreth shëndetit të tyre më pas edhe për përjetimet e luftës. Për ne ka qenë shumë e vështirë, përvoja ime e parë, që kurrë  nuk kam për ta harruar, ishte një vajzë vetëm 17 vjeç. Ajo ishte shtatzënë dhe e kishin kapur dhimbjet e lindjes. Kishte ngelur shtatzënë si pasojë e dhunimit. E kam çuar vetë personalisht në spital për të lindur. Kjo ka qenë një histori shumë e dhimbshme që më përcolli ditët e para të punës. Meqë kjo vajzë vinte nga një fshat nga komuna e Gjakovësdhe ishte duke u trajtuar nga një punonjëse psiko-sociale, në bashkëpunim me organizatën bazë me qendër në Gjermani, muajt e fundit kishim bërë të mundur që vajzës të mos i dukej barku e ta shihnin vëllezërit dhe babai, ishte një familje mjaft patriarkale. E morëm vajzën dhe e vendosëm në një shtëpi në Gjakovë, me pretekstin, me arsyetimin tek familjarët e saj se kishte infeksion në veshka dhe ishte në spital nën kujdes intensiv, dhe se kishte të drejtë vetëm nëna ta vizitonte. Kur erdhi momenti, atë vajzë e dërgova të lindte në spitalin e Gjakovës. Ajo lindi një vajzë për të cilën u kujdesën motrat në repartin gjinekologjik në Gjakovë. Ajo e braktisi vajzën, ishte shumë e trembur, shumë e traumatizuar, nuk ishte në gjendje të përballej me pasojat. Ai fëmijë qëndroi për 6 muaj në spitalin e Gjakovës, më pas u përkujdes qendra për punë sociale dhe ai fëmijë u birësua.

Linda Karadaku: Po me rastet e tjera, e njëjta gjë ka ndodhur? Gratë që kanë ngelur shtatzëna cfarë ka ndodhur me fëmijët e tyre?

Veprore Shehun: Ju e dëgjuat që shumë gra kanë ngelur shtatzanë por një pjesë e tyre arritën të shkonin te mjeku, sidomos rastet e para, kanë abortuar në spital të Kukësit dhe të kavajës. Janë paraqitur në këto qytete se kanë qenë në gjendje shumë të keqe dhe familjet që i kanë marrë në përkujdesje kanë organizuar vizitat mjekësore dhe në momentin që kanë konstatuar shtatzaninë automatikisht është kërkuar që të realizohet aborti. Mirëpo si rasti i 17 vjecares, e cila nuk e ka kuptuar se kishte ngelur shtatzanë, konstatimi i shtatzanisë ka qenë në muajt kur ka qenë e pamundur për abort. Mirëpo shumica e grave të mbijetuara nga dhunimi që kanë ngelur shtatzanë, të cilat e kanë sjellë shtazanin deri te lindja e foshnjes, të gjitha mund të them ose shumica e tyre, i kanë braktisur fëmijët. Ata fëmijë janë dhënë për biresim. Kemi vetëm dy raste të cilat i kanë mbajtur fëmijët dhe kanë vazhduar përkujdesjen. Por këto janë raste shumë të mbyllura që edhe familjet e tyre nuk e dinë.

Linda Karadaku: Ju i shihni lajmet, keni parë reagimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë, Vucicit dhe të tjerëve, për mohimin e masakrave që kanë ndodhur në Kosovë dhe ky është një nga ato krimet më të tmerrshme, dhunimet e grave dhe vajzave. Ju që merreni cdo ditë me këtë cështje dhe keni gjithë ato dosje në dhomën tjetër, e dini mirë cfarë ka ndodhur, keni dëshmitare të gjalla që janë sot këtu. Cfarë ndjeni ju kur shihni presidentin e Serbisë ta mohojë?

Veprore Shehun: Është e tmerrshme, është e dhimbshme sidomos për familjet e viktimave, për vetë këto gra që kanë përjetuar dhunën seksuale, përderisa ne flasim aq shumë, bashkësia ndërkombëtare insiston që të ketë një drejtësi tranzicionale në kosovë, që për këto 20 vite kjo drejtësi të demonstrohet përmes bashkëjetesës, përmes pajtimit, përmes integrimit, përmes ndëshkimit të krimeve, i cili është kriteri numër 1 i drejtësisë tranzicionale. Në radhë të parë pranimi, pastaj edhe ndëshkimi i krimeve që kanë ndodhur ndaj popullatës civile të Kosovës. Në vend që të presim që Serbia të kërkojë falje, si pjesë e rëndësishme e drejtësisë tranzicionale, përballemi me mohime të tmerrshme nga shteti i Serbisë, nga autoritetet serbe, madje as masakra e Recakut nuk paska ndodhur?! Nëse një masakër mohohet, që ka qenë e prekshme, e dukshme, është verifikuar edhe nga vetë misioni i OSBE-së, ka qenë krimi që ka alarmuar bashkësinë ndërkomëbtare për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, cfarë të presim që të pranohen krimet seksuale? Kur nuk kemi evidenca dhe dëshmi të dukshme, kur gratë madje edhe plagët fizike që në trupin e tyre nuk mund ti shfaqin dot, për të dëshmuar atë që ka ndodhur, por kanë vetëm një narrativë, kanë vetëm një përjetim, të cilat e kanë ndarë me ne por edhe me opinionin publik. Rastet e fundit, dihen, daljet publike të Vasfije Krasniqit dhe e Shyhretes që kanë dëshmuar publikisht përpara opinionit botëror për taë që ka ndodhur, si mund të mohohet një gjë e tillë?./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!