Deputeti gjerman i Merkelit: Të hapen negociatat me Shqipërinë

schedule12:38 - 28 Maj, 2018

schedule 12:38 - 28 Maj, 2018

Gjermania është shndërruar në vendin më të debatueshëm nëse do ta mbështesë apo jo Shqipërinë në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Deputeti gjerman i CDU, Mark Hauptman, është në anën e zërave pozitivë për vendin tonë.

Mark Hauptman: “Unë dal në konkluzionin se ky është një proces i mirë si për Bashkimin Evropian, dhe për Shqipërinë për të dhënë një vizion të qartë që ne e duam Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë anëtarë të Bashkimit Evropian në të ardhmen. Kjo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që do të thotë se duhet të vemë theksin tek axhenda e reformave për ta bërë këtë një udhëtim të suksesshëm drejt BE-së. Unë mbështes fort atë që është bërë sa i takon axhendës së reformave të Shqipërisë”.

Deputeti Mark Hauptman, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Çështjeve Ekonomike, por dhe i Komisionit të Politikës së Jashtme në Bundestag është i ndërgjegjshëm për debatet brenda Bashkimit Evropian. Megjithatë në këndvështrimin e tij Shqipëria është në rrugën e mbarë të përmbushjes së reformave.

Mark Hauptman: “Duke pasur parasysh këtë axhendë reformash, unë jam i mendimit se ne duhet të fillojmë procesin e negociatave  me Shqipërinë. Unë do të këshilloj kolegët e mi në Parlamentin gjerman të grupit tim parlamentar që të fillojmë procesin e negociatave, sepse ky  nuk është fundi i axhendës së reformave, por fillimi i reformave. kolegë të grupit tim parlamentar dhe kolegë të tjerë të parlamentit gjerman kanë vizituar Shqipërinë, të tjerë do vijnë në javët e ardhshme për të parë nga afër se si është zhvilluar Shqipëria dhe si qeveria i qëndron axhendës së reformave”.

Deklaratën, deputeti gjerman e bëri pas takimit që zhvilloi me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ,Taulant Balla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!