Qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Europian u është kërkuar që të bojkotojnë kampionatin botëror të futbollit që nis në 14 Qershor të këtij viti në Rusi. Nisma është marrë nga dhjetëra deputetë të Parlamentit Europian të cilët theksojnë se Presidenti rus Vladimir Putin po tallet me vlerat europiane.
Disa deputetë të Parlamentit Europian i kanë kërkuar qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Europian që të bojkotojnë kampionatin botëror të futbollit që zhvillohet këtë vit në Rusi. Me anë të një letre, deputetët shprehen se bojkoti është përgjigje ndaj “talljes” së vlerave evropiane nga ana e Presidentit rus Vladimir Putin.
Letra, e cila i është dërguar qeverive të 28 shteteve anëtare të BE më 18 Prill, thotë se helmimi i një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe muajin e kaluar, “ishte vetëm kapitulli i ri në talljen e Presidentit Putin me vlerat europiane”.
Letra gjithashtu i referohet “bombardimeve të shkollave, spitaleve dhe zonave civile në Siri; pushtimit të dhunshëm ushtarak në Ukrainë; hakerimeve të vazhdueshme; fushatave keqinformuese; ndërhyrjeve në zgjedhje; përpjekje këto të cilat destabilizojnë shoqëritë evropiane dhe dobësojnë e ndajnë BE-në”.
Deputetët shprehen se këto nuk janë tregues i mirë për vendin organizues të kampionatit botëror të futbollit.
“Edhe pse pajtohemi se sporti mund të ndihmojë në krijimin e urave, ne nuk mund të pretendojmë se kjo Kupë e Botës është si çdo ngjarje tjetër e madhe sportive, për aq kohë sa Putin po hedh në erë ura prej vërteti në Siri.”
Në mbyllje të letrës, deputetët kujtojnë ngjarjet e rënda të 2014-s në Ukrainë:
“Tre ditë pas Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi, Vladimir Putin pushtoi Ukrainën dhe bota qëndroi spektatore. Këtë herë, mund të veprojmë siç duhet duke mos festuar në Kupën e Botës 2018, ndërsa kanë ndodhur gjithë këto shkelje të rënda.”
Ndërkohë qeveria e Islandës dhe Britanisë ka njoftuar se asnjë përfaqësues shtetëror nga vendet e tyre, nuk do të marrin pjesë në kampionatin e futbollit që fillon më 14 Qershor.
Edhe burime nga brenda BE-së kanë njoftuar se në javët e ardhshme mund të njoftohet një bojkot diplomatik i koordinuar për Kupën Botërore./abcnews.al