“Dënoj kërcënimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve”, Tabaku: Korrupsioni, sfidë për procesin e Integrimit dhe ekonominë

schedule14:00 - 18 Tetor, 2023

schedule 14:00 - 18 Tetor, 2023

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku në takimin e zhvilluar ditën e sotme, ku i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK Altin Dumani i cili foli për përmbushjen e rekomandimeve të BE, u shpreh se raportet tregojnë se Shqipëria ende po zvarritet duke mos treguar sipas saj një progres real sa i përket korrupsionit.

Gjithashtu Tabaku shtoi se në pesë vitet e fundit vendi ka rënë në nivelin e 35 dhe 36 pikëve, ndërsa shtoi se korrupsioni ka ulur këmbët shtruar nga fondet e buxhetit tek ato të IPARD.

Megjithatë Tabaku përgëzoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për punën e bërë në hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë për vepra të korrupsionit, duke filluar me kontratat koncesionare dhe duke vijuar me ushtrimin e aktivitetit dhe funksionin e tyre në nivel lokal.

Gjithashtu Tabaku dënoi sulmet dhe kërcënimet që bëhen në drejtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Fjala e plotë:

Në dy vitet e fundit është hera e katërt që ky Këshill mblidhet për të diskutuar mbi korrupsionin si sfidë jo vec për procesin e Integrimit por si sfidë për ekonominë, migracionin, biznesin e të ardhmen.

Raport mbas raporti tregojnë se Shqipëria zvarritet në vitet e fundit ku megjithëse ky kuvend ka miratuar një reformë në drejtësi që tundet si flamur majtas e djathtas mbetet reforma e fundit e miratuar në parlament për procesin e integrimit në vitin e largët 2017. Në pesë vitet e fundit Shqipëria është në nivelin e 35 dhe 36 pikëve, duke mos treguar një progres real sepse sot korrupsioni po bëhet me ligje e ka ulur këmbët shtruar nga fondet e buxhetit tek ato të IPARD. Në prill, pesë dhomat kryesore të tregtisë në Shqipëri i drejtuan një deklaratë të përbashkët qeverisë, ku theksuan nevojën për të luftuar korrupsionin dhe ryshfetet në administratë, si dhe padrejtësitë në tenderët publike. Sot koncesionet e tenderat publikë, garat publike, asetet publike jepen me oferta të pakërkuara, pa garë në shkelje të MSA, që është interesi parësorë dhe i KKIE.  Sot, thotë Transparency International që korrupsioni bëhet me ligje në kuvend dhe nuk kanë asnjë vlerë planet e integritetit, as strategjitë kur në fund të ditës kompani të vecanta marrin shërbime dhe përfitime me ligje speciale në buxhet, duke filluar nga ligji për TVSH në vitin e largët 2015 duke vijuar me ligjin  e lojërave të fatit e cila për ironi të fatit është duke u ridiskutuar për herë të tretë sot në Parlament. Sot ne kemi raportimin e dy institucioneve shumë të rëndësishme, SPAK dhe Ministrisë së Drejtësisë si kordinator për luftën ndaj korrupsionit.

Përfitoj nga rasti këtu të përgëzoj Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për punën e bërë në hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë për vepra të korrupsionit, duke filluar me kontratat koncesionare dhe duke vijuar me ushtrimin e aktivitetit dhe funksionin e tyre në nivel lokal.

Secili prej nesh do kish dashur ndoshta që SPAK-u të kishte bërë hetime më shpejt, të kishim më shumë arrestime, të mos kishim shtyrje të seancave e gjykime të shkurtuara por sot na takon të vlerësojmë punën e SPAK për guximin e treguar.

E për politikën është një mësim i mirë që as mos ti dalë për zot korrupsionit e as ta mbrojë siç është bërë deri më sot fatkeqësisht. As të ushtrojmë presion kur nuk na pëlqen rezultati dhe kur nuk na pëlqejnë vendimet. Politika duhet të heshtë kur flet drejtësia!

Prandaj  Z. Dumani, Znj. Pirdeni ato që deri dje i kanë sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe SPAK-un, sot po i përdorin si statistika Ministrat e Zv. Kryeministrat e arrestuar e të arratisur. Unë besoj që e kanë kuptuar të gjithë që duhet të bëjmë durim!

Për këtë arsye unë inkurajoj të gjithë anëtarët e këtij këshilli të nxitojmë për ndryshimet e mbetura të reformës në drejtësi mbas pothuajse 7 vitesh nga paketa e parë duke pasur parasysh dy parime: mos prishja e infrastrukturës së sistemit dhe vettingu për të gjithë nivelet ngado që vijnë përfaqësuesit në isntitucione dhe gjithëpërfshirje.

Nëse sot politika hesht nga vendimet e SPAK e bën sepse është një nga institucionet që është krijuar me mbështetjen gjithëpërfshirëse nga të gjitha krahët e politikës dhe me insistimin e Partisë Demokratike, ndryshe nga 6 ligjet e tjera të drejtësisë të cilët ishin të njëanshëm.

Në raportimin e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme në Kuvend, deklarohet se 65% e ndjekjeve penale për korrupsion janë pushuar. Ky fakt tregon se ka sfida të mëdha në drejtësi dhe në ndëshkimin e aktorëve të korruptuar.

Unë përpara se ti jap fjalën përfaqësuesve që kanë ardhur për raportim, doja të ndaja dhe një shqetësim të ditëve të fundit dhe ti bashkohem thirrjes së Znj. Gjonaj për të dënuar këto sulme e kërcënime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, njëkohësisht për ti siguruar mbrojtje dhe siguri personale kujtdo që në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ndihet i kërcënuar. Aq më tepër, të dënojmë sulmet politike që i bëhen sistemit nga kujtdo që ato vijnë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!