Dënohet me burg babai, nxirrte fëmijët për të lypur

schedule19:10 - 27 Mars, 2018

schedule 19:10 - 27 Mars, 2018

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor një baba 46-vjeçar që nxirrte për të lypur dy fëmijët e tij të mitur në rrugët e kryeqytetit. Ai është dënuar me 2 vjet burg, por përfundimisht është lënë në Shërbim Prove për një periudhë 4-vjeçare.

Ka nxjerrë dy fëmijët e tij 8 dhe 10 vjeç për të lypur në rrugët e Tiranës, por tashmë duhet të vuajë një dënim fajësie.

Kujtim Aliu, 46 vjeç, është dënuar me 2 vjet burg nga Gjykata e kryeqytetit, pasi u deklarua fajtor për akuzën e “keqtrajtimit të fëmijëve”. Prindi i të miturve nuk do të përfundojë në qeli, pasi gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e lënë atë në Shërbim Prove për një periudhë 4-vjeçare.

46 vjeçari është kallëzuar nga punonjëset e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Bashkisë së Tiranës. Gjatë inspektimee në terren, ato kishin konstatuar fëmijët e mitur, djalë e vajzë, teksa lypnin.

Në kontaktin me familjarët, punonjëset janë përballur me frazën “nuk kemi çfarë të bëjmë, me çfarë do ushqehemi”.

Në deklarimet para gjykatës, dy kallëzueset kanë pohuar se kishin bërë çdo përpjekje për ndryshimin e situatës, në mbrojtje të të miturve, por pa rezultat.

Sipas tyre, i pandehuri ishte i punësuar, familjes së tij i ishin dhënë ushqime dhe veshmbathje, u ishte ofruar të hanë në një qendër komunitare, por ata nuk shkonin, marrin ndihmë ekonomike si dhe kanë një banesë sociale.

Ndonëse e ka mohuar për disa raste me radhë, pasi punonjëset sociale e kanë përballur me fotografimet e fëmijëve të tij duke lypur, 46 vjeçari Aliu ka pranuar se kishte dijeni për këtë fakt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!