Dënohet me 10 vite burg Klement Balili

schedule14:45 - 7 Maj, 2019

schedule 14:45 - 7 Maj, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg Klement Balilin. Ai u shpall fajtor për 4 akuza, por mbrojtja paralajmëroi ankimimin e vendimit në Apel. Ndërkohë që gjyqtarja Flora Hajradini po lexonte vendimin Klement Balili ishte i qetë brenda kafazit. Ai nuk reagoi dhe dënimin e priti pa iu dridhur sytë e me duar të lidhura pas shpine, por kur u largua ktheu shikimin nga familjarët e tij për t’i përshëndetur.

Avokati i të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Theodhori Sollaku gjatë mbrojtjes së bërë për klientin e tij ka deklaruar disa herë se asnjë prej 4 akuzave të Prokurorisë nuk qëndronte.

Avokati pretendoi se organi i akuzës i ka të pambështetura në prova akuzat kundrejt Kelment Balilit. Sollaku gjatë mbrojtjes u shpreh se organi i akuzës nuk ka bërë ekspertizën e zërit për të faktuar nëse është më të vërtetë Klement Balili, ai që flet me grupin kriminal grek për trafikimin nga Shqipëria drejt ishullit grek Xakinthos të një sasie prej 680 kilogramësh kanabis.

Por Gjykata e Krimeve të Rënda pasi u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar, vendosi që ta shpallë fajtor për të 4 akuzat. Për akuzën trafikim i lëndëve narkotike gjykata dha dënimin 14 vite burg, për pjesëmarrje në grup kriminal 2.6 vite burg. Për akuzën e pastrimit të parave u dënua me 5 vite burg dhe për deklarim të rremë, mosdeklarim dhe fshehje pasurie, dënimi ishte 6 muaj burg.

Në përfundim, në bashkim të të gjithë dënimeve, togat e zeza e dënuan me 15 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij bëhet 10 vite burg. Ndërkohë Prokuroria kishte kërkuar për Balilin 18 vite burg.

Në seancën e së martës, Klement Balili nuk foli asnjë fjalë. Në sallë ishin të pranishëm edhe familjarët e tij, që e pritën më qetësi dhënin e vendimit.

Avokati Sollaku tha se brenda afatit 15 ditor të parashikuar nga ligji do ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Klement Balili u vetëdorëzua në 15 Janar të këtij viti, pas dy vitesh arrati./ABC News Albania 24/7