Denaj në Fier, konsulta me biznesin për ligjin e ri fiskal: Ul informalitetin

schedule12:26 - 15 Shtator, 2019

schedule 12:26 - 15 Shtator, 2019

Qeveria do të fillojë testimin e kasave të reja fiskale në muajin tetor. Ministrja Denaj u takua me biznesmenë në Fier, për tu konsultuar mbi ligjin e ri, duke thënë se ky lloj raportimi direkt për cdo shitje, do të ulë informalitetin dhe do të ndihmojë integrimin evropian.

Kasat e reja fiskale që raportojnë cdo shitje në kohë reale pranë serverit të tatimeve do të fillojnë të testohen në muajin tetor. Anila Denaj, ministre për Financat dhe Ekonominë u takua me biznesmenë në Fier, për tu konsultuar për këtë sistem të ri.

“Pse doli e nevojshme mbledhja e informacionit? Së pari, doli e nevojshme sepse këto janë sisteme që progresojnë në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Përpara pesë vjetësh, i gjithë sistemi i marrjes së informacionit ishte në një standard, sot është në një standard tjetër dhe teknologjia e mundëson për më tepër, marrjen e këtij standardi”, sqaroi Ministrja.

Projektligji ende nuk është kaluar në parlament dhe aktualisht po konsultohet me grupet e interesit.

“Është një proces më i qëndrueshëm në luftën kundër informalitetit dhe nuk janë inspektimet objektivi ynë afatgjatë për të luftuar informalitetin.Objektivi kryesor është që ne këtë projekt ta kemi dhe si një parakusht për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Pse? Sepse sisteme të përditësuara me teknologjinë, por jo vetëm, edhe me mendësinë e analizës dhe luftës kundër informalitetit, duhet të jenë në të njëjtën mendësi që është ajo e vendeveeuropiane”, theksoi znj. Denaj.

Vendosja e detyruar e këtyre kasave të reja që raportojnë cdo shitje në kohë reale, është parashikuar të nisë në 1 janar. Kasat fiskale  aktuale që kanë bizneset, raportojnë shitjet totale vetëm në fund të ditës, kur mbyllet aktiviteti. Kritikët kanë ngritur shqetësimin se detyrimi për tu pajisur me kasa të reja, mund të shkaktojë kosto për bizneset. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!