Në Varshavë nuk pati në dispozicion shumë kohë. Ernest Muçi u aktivizua nga trajneri Silvinjo vetëm në 83’, ndërsa Shqipëria po humbiste 1-2 ndaj Polonisë, e padyshim që nuk pati mundësi të tregojë shumë nga vetja.
U mendua se ylli kuqezi do të ishte protagonist si titullar ndaj Ukrainës këtë të martë, veçse ndodhi e kundërta. Pasi u tha nga Silvinjo se ai kishte pasur probleme fizike, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se Muçi nuk është më pjesë e ekipit pikërisht për shkak të një dëmtimi.
Sipas njoftimeve të Federatës dhe të mediave turke, futbollisti ka probleme muskulore në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, veçse nga Stambolli vijnë lajme të mira.
Edhe pse duhet pritur rezultati i vizitës mjekësore që ai do të bëjë në klubin e tij, Trabzonspor, sërish informacioni është që Shpresa është e madhe që ylli ofensiv shqiptar të jetë gati për ndeshjen e radhës të ekipit të tij, të shtunën e 4 prillit.
Bëhet fjalë për një sfidë të madhe sepse Trabzonspor pret në stadiumin e vet, kampionen dhe kryesuesen e Superligës turke, Gallatasarajin. Një fitore do të bënte që diferenca me kreun të ishte vetëm një pikë, pra titulli të ishte krejtësisht i mundshëm. Ernest Muçi ka këtë sezon në Turqi 13 gola e 8 asistë, nga të cilët 10 rrjeta dhe 4 pasime goli i ka në Superligë.


