Dëmtimi i frikshëm dhe si e shpëtoi Tirana, rrëfimi special i Michael Ngoo

schedule15:15 - 18 Gusht, 2020

schedule 15:15 - 18 Gusht, 2020

Shansi për të shpëtuar i shkoi nga Tirana. Michael Ngoo, autor i 13 golave me bardheblutë sezonin e fundit, po kalonte momente jo të mira tre vite më parë. Donte diçka ndryshe dhe nuk i tha jo një aventure në Shqipëri.

Nuk isha mirë në aspektin psikologjik. Ishte e vështirë, sigurisht. Kisha shumë gjëra në mendje dhe isha poshtë moralisht atë periudhë. Shumë futbollistë kalojnë depresion dhe isha shumë i dëshpëruar në Angli.

 

Oferta më erdhi dhe mendova vetëm të ndryshoja ambient. Kështu pranova. Nuk dija shumë për Shqipërinë, për futbollin atje, por më duhet të luaja. Vija nga momente jo të mira”, tregon sulmuesi anglez, në një intervistë të dhënë për “The Guardian”.

Katër vite të vështirë për të, pas një ndërhyrje që mori në Skoci nga Virgil Van Dijk. Ngoo u operua dhe për nuk ishte asgjë më si më parë. “Të shënosh gola është diçka e që e kam gjithmonë në mendje, por kalova shumë probleme fizike, probleme muskulore. Asgjë nuk mund të bëhej brenda natës, pas atij dëmtimi që kisha pësuar. Duheshin muaj për të ndërtuar muskujt e mi.

Kështu kisha në stil ndryshe vrapimi dhe duhet të përshtatesha me trupin tim, që ishte ndryshe. Edhe në sezonin e parë te Tirana nuk isha në gjendjen më të mirë. Vjet po i afrohesha formës më të mirë, por sërish kisha frikë në mendjen time. Pas këtij sezoni ndihem mirë dhe i gatshëm të ndërmarr një hap tjetër, ta sfidoj veten. Mendërisht jam mirë”, shton anglezi.

 

Ngoo u lidh fort me tifozët e Tiranës dhe këtë ai e arsyeton kështu: “Nëse nuk do të jepja 100 për qindëshin në fushë, dyshoj që tifozët do kishin treguar respekt për mua. Në Shqipëri Tirana është një klub me histori të madhe, ata kanë fituar tituj më shumë se kushdo. Tifozët vlerësuan përpjekjen time dhe shfaqën ndaj meje shumë dashuri, më mirëpritën. Ata e dinin se nuk do të qëndroja për një kohë të gjatë, por në fund qëndrova për tre sezone. Kjo nuk ishte pjesë e planit tim në fillim”.

Në fund ai tregon pse u largua nga kampionët e vendit, me një medalje në qafë, shumë gola e asiste: “Jam pak i zhgënjyer që nuk do të jem pjesë e Tiranës në Champions League. Ata donin që unë të kthehesha, por mendoj se është momenti i duhur në jetë që të ndërmarr një hap tjetër dhe e bëj këtë për më të mirën time. Si dhe t’i bëj njerëzit të shohin që pas disa hapave prapa, tani jam në një fazë ku mund t’i tregoj cilësitë e mia në liga më të forta”. /abcnews.al