Emiljano Musta e nisi mjaft mirë aventurën me Kukësin, duke shënuar dy gola në finalen e Superkupës dhe më pas ndihmoi verilindorët të shmangnin humbjen kundër Laçit. “Xholi” i Kukësit është ndalur së fundmi për shkak të një shqetësimi që ka me muskujt e barkut. Musta edhe në të shkuarën ka pasur probleme me to, madje para pesë vitesh ka bërë edhe një ndërhyje.
Problemi aktual nuk ka të bëjë me një shfaqje të problemeve të shkuara. Anësori i majtë tani shqetësohet prej muskujve të brendshme të barkut, të quajtura psoasis. Ky problem ka ardhur prej sforcimit dhe stërvitjes në fusha me bar artificial për një kohë të gjatë.
Gjithsesi asgjë serioze për Mustën, i cili aktualisht ndodhet në Francë. Aty ai ka kryer rezonancën dhe ka bërë analizat, në klinikat më të mira në vend. Kalimi i këtij problemi arrihet përmes ushtrimeve, që quhen “pilates”.
Për ta kaluar këtë situatë, Musta është konsultuar me trajnerin personal të mbrojtësit Mamadou Sakho, lojtar që ka qenë pjesë e Liverpool dhe PSG. Shumë shpejt lojtari pritet të vihet nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, për të dhënë kontributin e tij në arritjen e objektivave të Kukësit. /abcnews.al