Dëmtim dhe titull i humbur për Çekiçin, Roshit i anulohet eurogol

schedule15:21 - 23 Korrik, 2020

schedule 15:21 - 23 Korrik, 2020

Futbollistëve shqiptarë u mungoi fati mbrëmjen e fundit në Europë. Odise Roshit iu anulua një supergol në Premier Ligën e Rusisë, ndërsa Endri Çekiçi humbi titullin kampion në javën e fundit në Slloveni

Duhej të kishte qenë një nga realizimet e sezonit. Odise Roshi shënoi një të tillë që normalisht quhen “eurogola”, veçse gëzimi dhe festimi i tij shkuan kot. Futbollisti i kombëtares shqiptare u tregua tepër i saktë dhe I fortë në rrjetën për Ahmatin e Groznit në fushën e Lokomotivës së Krasnodarit, veçse gjyqtari e anuloi këtë “perlë”.

Kjo sepse aksioni që solli golin e Roshit u nis nga pozicioni jashtë loje. Një mëkat i vërtetë për 29-vjeçarin që luajti sezonin më të mirë të karrierës, në të cilin realizoi 7 gola e shërbeu 3 asistë, ndërsa ishte në fushë për 28 ndeshje. Fati i mirë ishte që Ahmati i Groznit nuk ra nga kategoria, ndonëse nuk është e sigurt nëse Roshi do ta vazhdojë aty karrierën edicionin e ardhshëm.

 

Një fund shumë më tepër dramatik për Endri Çekiçin në Slloveni. Futbollisti shqiptar humbi garën për titullin kampion pikërisht në javën e fundit, pasi Olimpija e Ljubljanës nuk shkoi dot më shumë se barazimi 2-2 në fushën e Celjes.

Kampion u shpall pikërisht Celje, ndërsa Çekiçi do ta kishte fituar titullin nëse Olimpija do të kishte fituar. Fati I keq ishte I dyfishtë për mesfushorin shqiptar, pasi ai u dëmtua shpejt, u zëvendësua në minutën e 25-të, duke mos arritur të ndihmojë ekipin në ndeshjen vendimtare të Ligës së Parë të Sllovenisë.

Olimpija kryesoi gjatë pjesës më të madhe të kampionatit, por u dorëzua në fund, për entuziazmin e madh të tifozëve dhe të futbollistëve e stafit teknik të Celjes. /abcnews.al