Demonstratat kundër rezultatit të zgjedhjeve, Bjellorusia liron 1 mijë të arrestuar

schedule21:10 - 14 Gusht, 2020

schedule 21:10 - 14 Gusht, 2020

Autoritetet në Bjellorusi liruar rreth 1 mijë protestues të arrestuar në mesin e demonstratave kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, në një përpjekje për të zbutur zemërimin publik ndaj sulmit brutal mbi protestat paqësore. Shumë nga ata që u lanë të lirë, raportuan për rrahje brutale dhe abuzime të tjera nga policia dhe disa prej tyre kishin shenja dhune në trup.

Lirimi i të burgosurve erdhi disa orë pasi ministri i Brendshëm Yuri Karayev kërkoi falje në televizionin shtetëror për përdorimin pa dallim të forcës nga ana e policisë. Masa vjen në një ditë kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të takohen për të diskutuar vendosjen e sanksioneve të mundshme kundër Bjellorusisë.

Sfiduesja kryesore e zotit Lukashenko, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila është strehuar në vendin fqinj Lituani, postoi një deklaratë me video ku kundërshtonte rezultatet e votimit dhe kërkonte që qeveria të nisë një dialog me protestuesit.

Në pesë ditë protestash masive, turmat e demonstruesve mbushën rrugët për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve si dhe që t’i jepet fund sundimit 26-vjeçar të Presidentit autoritar Aleksandër Lukashenko. Rreth 7 mijë persona janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Sipas rezultateve zyrtare, zoti Lukashenko ka fituar 80 për qind të votave dhe zonja Tsikhanouskaya vetëm 10 për qind. Policia shpërndau protestuesit duket hedhur ndaj tyre granata të vogla trullosëse, gaz lotsjellës, plumba gome si dhe duke rrahur brutalisht demonstruesit. Të enjten, mijëra punëtorë u mblodhën jashtë uzinave industriale për të denoncuar sulmin e policisë dhe për të kërkuar rinumërimin e votave të procesit të së dielës.VOA