Demokrati refuzon mandatin në Kuvend, Ruçi: Rrugë të mbarë!

schedule10:41 - 8 Maj, 2019

schedule 10:41 - 8 Maj, 2019

Një situatë e pazakontë ndodhi sot në Kuvend. Ndërsa kryeparlamentari Ruçi po drejtonte seancën për betimin e deputetëve të rinj, Indrit Hoxha nga listat e PD-së nuk pranoi që të merrte mandatin e deputetit. Ai e ka  refuzuar mandatin në sallën e Kuvendit.

Në momentin që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi thirri emrin e tij të betohej ai u ngrit dhe u shpreh: “Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndërmarr sot  këtë akt politik në emër të babait tim të ndjerë Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci. E ndërmarr ketë akt politik në shenjë revolte dhe neverie kundër krimit të rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe sidomos ato që im atë me la trashëgimi. Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale ne pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ka kapur drejtësinë. Refuzoj të marr mandatin në Parlamentin ilegjitim që e drejton urdhëruesi i vrasësve të Arben Brocit dhe shokëve të tij në masakrën e 2 Prillit. Refuzoj të bëhem pjesë e një Parlamenti ilegjitim ku ulen hetues dhe prokurore te diktaturës të cilët kanë torturuar dhe vrarë të rinj shqiptarë. Refuzoj të marr mandatin në një parlament ilegjitim ku në karrigen e kryeministrit ulet i biri i njeriut që firmosi për varjen e poetit Havzi Nela. Refuzoj të bëhem pjesë e një parlamenti ilegjitim ku ndodhen urdhëruesit e vrasjes se tribunit të demokracisë Azem Hajdari. Ky nuk është Parlament, por galeri e krimit. Fundi i kësaj farse kriminale është shume i afërt. Unë refuzoj të bëj betimin dhe të marr mandatin sepse ai mandat i takon popullit dhe jo kriminelëve, hajdutëve dhe delenxhinjve që ndodhen sot këtu. Rroftë Shqipëria! Rroftë Demokracia! Zoti i bekoftë shqiptarët”.

Gramoz Ruçi: Zoti Indrit këtë mund ta bëje deklaratë për shtyp  jashtë seancës dhe në sallë mund të mos vije. Ti me vullnetin tënd ke bërë kërkesën dhe kë kërkuar mandatin e deputetit. Është e drejta jote kushtetuese të mos bësh betimin. Rrugë të mbarë dhe suksese në jetë!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!