Pas Arta Markut, Shqipëria me një tjetër njësi të përkohshme, prokurorinë e Posaçme. Kjo është kambana e alarmit e dëgjuar nga selia blu ditën kur Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nënshkroi sëbashku me ministrin e Brendshëm, Xhafaj, marrëveshjen e bashkëpunimit që ngarkon Prokurorinë e Posaçme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve të tjera penale, përgjegjësi e Prokurorisë së Krimeve të Rënda sipas Kodit të Procedurës Penale, deri në ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Speciale Antikorrupsion, të njohur si SPAK.
Neni 148, pika 4
Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale (sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetuës) janë të pavarura nga Prokurori I Përgjithshëm.
Është kjo fitorja për të cilën flet Oerd Bylykbashi, kur akuzon për zhbërje të këtij neni, marrëveshjen e bashkëpunimit mes Prokurores së Përkohshme dhe Ministrisë së Brendshme.
Oerd Bylykbashi: “Është i vetmi ligj, që ka marrë votat e gjithë palëve, ligji për SPAK. U garantua mos-kapja e SPAK. Prokurorin privat të përkohshëm e kapi në 18 Dhjetor, kjo ka luksin të bëj marrëveshje afatgjatë, që krijon SPAK-un e qeverisë”.
Bëhet fjalë për marrëveshjen Marku-Xhafaj të nënshkruar mëngjesin e 2 Shkurtit, në funksion të planit të veprimit për luftën kundër krimit të organizuar.
Vetë kjo marrëveshje e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk figuron në faqen e Kryeministrisë me numër 637 të datës 6 Nëntor 2017, niset nga fakti që..
..deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, sfera e veprave penale, që është objekt i kësaj marrëveshjeje, janë kompetencë lëndore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ashtu edhe të prokurorive të rregjeve gjyqësore me juridiksion të zakonshëm.
Këtë kompetencë, pas pikës 1/1 të marrëveshjes, e merr përsipër Prokuroria e Përgjithshme, përmes krijimit të disa seksioneve të Posaçme të Përkohshme në Prokurorinë e ngarkuar nga Kodi i Procedurës Penale për të zbatuar kompetencat e asaj të Posaçme të pakrijuar ende.
Kjo sipas demokratëve, një institucion që u ideua për të qënë i pavarur, e ngre nën çadrën e pushtetit ekzekutiv.
Enkelejd Alibeaj: “Është lidhur një marrëveshje mes qeverisë dhe prokurorisë, e shkruar e zeza mbi të bardhë marrëveshja, që zëvendëson Kushtetutën, Kodin, ligjin për prokurorinë dhe SPAKU-n”.
Tre janë problemet që vijnë nga paligjshmëria e kësaj marrëveshje sipas ish-minsitrit teknik të Drejtësisë, Gazment Bardhi, pavlefshmëria e hetimeve të kryera bazuar në këtë marrëveshje, mbajtja nën kontroll e hetimeve të pavarura të prokurorëve përmes raportimeve mujore tek Prokurori i Përgjithshëm, si dhe verifikimi, që do duhet të kalojnë prokurorët e këtyre njësive të posaçme nga minsitria e Brendshme.
Gazment Bardhi: “Kjo marrëveshje është edhe një formë mbulimi ligjor që Prokurori i Përgjithshëm dhe minsitri po mundohen të vënë në jetë palanin e ndryshimit të prokurorëve që kanë sot çështje të nxehta”.
Shembull morën dosjen më të nxehtë, atë të ish-minsitrit Tahiri, e cila sipas demokratëve, bazuar në marrëveshjen Marku-Xhafaj, me një urdhër sipas pikës 1/11 të memorandumit të bashkëpunimit, do i kalojnë prokurorëve të njësisë speciale të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të filtruar nga Ministria e Brendshme./abcnews.al