Demokratët kthehen në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit

schedule15:10 - 17 Maj, 2019

schedule 15:10 - 17 Maj, 2019

Demokratët kthehen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pavarësisht vendimit të kësaj force politike për të mos qenë pjesë e zgjedhjeve të 30 qershorit, përfaqësuesi i demokratëve Njazi Kosovrasti kaloi pragun e godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një ditë pas shprehjes së qëllimit nga kjo forcë politike, për dërgimin e propozimeve që Kodi Zgjedhor i njeh partive parlamentare opozitare, për komisionerë të zonave administrative. Arsyen për këtë, sekretari për çështjet ligjore në partinë demokratike, ia veshi faktorit manipulues që beson se mund ta faktojë tashmë me dokumente.

“Arsyeja pse po i dërgojmë ne, këta komisionerë, është sepse po shohim dhe na vijnë informacione për komisionet se po ndodhin manipulime. duam ti demaskojmë dhe të tregojmë se cfarë zgjedhjesh po përgatit Edi Rama. Dhe kur të shtyhen e të përcaktohet data e re e zgjedhjeve bashkë me zgjedhjet e përgjithshme të mos na kthehen në bumerang. Gjerat e regjistruara tani nuk i rregullon dot atëherë, prandaj ne duam të kemi komisionerë për të mos lejuar manipulime që po mundohet të bëjë zoti Rama në këto komisione. KZAZ-të shikojnë ndarjen e qendrave të votimit, ndarjen e listave nëpër lista të votimit, mbi të gjitha mbi regjistrimin e kandidatëve sepse kandidatët regjistrohen në KZAZ tani, nuk regjistrohen në KQZ sic ndodh me deputetët. është rasti i Kavajës ku është dashur të regjistrohet një kandidat dhe ai ndodhet jashtë shtetit, ne i kemi të gjitha të dhënat, ka kaluar afatin e regjistrimit, është kthyer dhe shënohet sikur është regjistruar në kohën e duhur. pra është manipulim i saktë e i provuar. për këtë arsye ne kërkojmë të çojmë, të bllokojmë, ti ndalojmë këto manipulime, ti demaskojmë dhe të përgatitemi për zgjedhjet e shtyra. Zgjedhje në 30 qershor nuk ka, ta harrojnë”, tha Gjata.

Habinë për pjesëmarrjen në mbledhjen e radhës së KQZ-së, nënkryetari i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve ja shprehu përfaqësuesit të demokratëve në sallë.

Denar Biba: Jeni subjekt zgjedhor, jeni regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit?!!

 Njazi Kosovrasti: Jo, e çdo të thotë kjo. Por kam një nen. Unë jam parti parlamentare dhe si e tillë më takon të marr pjesë në KQZ dhe meqë ju dëshironi po ju citoj Kodin Zgjedhor…

Denar Biba: E njoh ligjin nuk keni pse të ma lexoni. PD ka një marrëdhënie të shkëputur nga parlamenti aktualisht është fakt i njohur publikisht…

Njazi Kosovrasti: Cfarë pune keni ju. Padiskutim që jemi parti parlamentare dhe kuptimi i partisë parlamentare përcaktohet nga rezultati i zgjedheve të radhës… Denar Biba: Po, por ju ato mandate i keni dorëzuar …

Njazi Kosovrasti: Bëni detyrën zoti Biba si anëtar i KQZ mos u merr me probleme të politikës.

Partia Demokratike dhe ato të opozitës së bashkuar nuk janë regjistruar si subjekte zgjedhore në garën elektorale të 30 qershorit, afati përfundimtar për të cilët ka përfunduar, ashtu si afati për regjistrimin e kandidatëve të pavarur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!