I ftuar në studion e “ABC News”, inxhinieri Erald Kerluku ka treguar se për ndërtimin e banesave është shumë e rëndësishme që ndërtuesit të njihen me disa elementë të rëndësishëm, si: studimet gjeologjike, studimet sizmike, planimetria e kolonave apo trarëve duhet të trajtohen me kujdes të veçantë.
Ai gjithashtu ka sqaruar se “Eurokode” është një ligj që funksionon, por është tërësisht vullnetar.
“Zbatimi i eurokodeve tashmë funksionon dhe është pjesë projektuese prej vitesh, por është vullnetar . Gjithsekush ka gjetur mënyrën për ta përshtatur. Është një mënyrë konceptimi i problemeve por kjo nuk mjafton”, tha ai.
Në përditshmërinë tuaj kur keni bashkëpunuar më ndërtues të ndryshëm jeni gjendur përballë presioneve?
“Jo pak herë kemi pasur raste të tilla, qoftë për shtesa katesh të larta apo kateve të para. Për këtë fenomen kërkohet një analizë shumë e detajuar. Në kushtet aktuale të Shqipërisë është shumë e vështirë për ta përcaktuar saktësisht. Shtesat e kateve gjenden në masë në Tiranë. Një shtesë kati mbi një projekt ekzistues ndikon drejtpërdrejtë në objekt. Një projektues duhet të marrë parasysh efektin që jep në këto elementë mbajtës”, u shpreh Kerluku.
I pyetur se çfarë i bëri godinat që të dëmtohet apo të bien, ai thotë se kjo analizë duhet të bëhet nga laboratorë që fatkeqësisht mungojnë.
“Duke marrë shkak nga Prokuroria do të rekomandoja laboratorë të mirëfillta që në Shqipëri është shume e vështirë ti gjesh. Nuk kemi laboratorë, për fat të keq mungojnë. Laboratorët do të përcaktonin pikat e dobëta të një objekti”, theksoi inxhinieri.
Çfarë do të ishte penalisht e dënueshme, ku do të ishte shkelur norma e standardit?
“Objektet të cilat kanë pësuar shtesë kati, kemi kolona pa asnjë standard, me katër shufra hekuri,” u shpreh Kerluku.
“Nga mungesa e inxhinierit do të fillonte direkt shkelja sepse nëse do të kishte një inxhinier që do të kishte besueshmëri nuk do ta lejonte të ndërtonte banesa të pasigurta. Godinat që i ndërtojnë vetë njerëzit nuk kanë asnjë instruktor. Duhet të vendosur një standard, disa ligje për të bërë një shtesë kati, ne duhet të bëjmë disa të dhëna duke u bazuar te kushtet gjeologjike të tokës”, u shpreh Kerluku./abcnews.al