Dëmet nga tërmeti i 1 qershorit në Korçë, banorët: Asnjë ndihmë nga shteti, po marrim para borxh

schedule13:46 - 17 Janar, 2020

schedule 13:46 - 17 Janar, 2020

Kjo banesë e familjes Pelivani në Floq të Korçës u dëmtua nga tërmeti. Për 6 muaj 6 pjesëtarë e saj u strehuan në një shkollë të fshatit, me shpresën se qeveria siç dhe premtoi, do t’ju riparonte totalisht banesën.

Siç tregon zonja e shtëpisë Pembja, edhe pse fondi i caktuar për ta ishte i konsiderueshëm, se çfarë u bë më paratë, nuk ka informacion, për sa kohë në banesën e saj, vetëm një restaurim të pjesshëm iu bë.

Tani ata janë të detyruar të mblidhen të gjithë për të jetuar në një dhomë.

“Na takonte 12 milionë e 300 po nuk i morëm, ja u lamë të na i bënin shtëpinë me aq bëhet një shtëpi nga e para”.

Sipas kësaj të moshuare disa riparime u detyruan ti bëjnë edhe vetë se dimri është i ftohtë.

“Blemë vetë çimenton dhe hekurin që e shtruam”.

Pembja thotë se as rritjen e mbesës nuk po e shijon dot se ajo u ngrit në këmbë në kushte të jashtëzakonshme.

“Kam ndenjur 5 muaj në shkollë, aty u ngrit mbesa më këmbë”, thotë ajo.

Edhe Bledar Mulla ka të njëjtin shqetësim, për riparimin e banesës, pasi s’ka ku jeton dhe ka marrë para borxh.

“Deri tani, më bënë gjysmën e çatisë, dy dhomat dhe kaq, të tjerat vajta mora borxh për ti bërë”.

Ai hedh dyshime të forta kur thotë se përse për restaurimin e banesave të dëmtuara në Floq pati diferencime.

“Nuk e di si u bënë, ca u bënë të reja, ca pjesë-pjesë, se çfarë ndodhi nuk e di, se me mik, se me parti, shumë e padrejtë është”.

1 qershor të vitit 2019 banesat e disa fshatrave të Korçës u shembën dhe u dëmtuan nga tërmeti. Vetëm Floqi numëron 120 shtëpi të dëmtuara, nga të cilat 40 janë shembur totalisht.

Qeveria ndau një fond për rindërimin dhe restaurimin e tyre, por jo të gjithë kanë përfituar deri tani në mënyrë të barabartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!