“Delta vijon të qarkullojë”, Alimehmeti: Arsyet pse Omicron shkakton simptoma më të lehta

schedule19:50 - 17 Janar, 2022

schedule 19:50 - 17 Janar, 2022

Në këto momente në vendin tonë është duke mbizotëruar varianti Omicron i koronavirusit. Lajmin e bëri të ditur mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Radari Informativ” në ABC.

Megjithatë, Alimehmeti shtoi se varianti Delta vijon që të qarkullojë ende, por shumë shpejt do të “asimilohet” tërësisht. Nga fundi i janarit, në vendin tonë do të mbizotërojë  tërësisht Omicroni.

“Omicronit iu deshën 4 javë nga fillimi i ngritjes së rasteve. Javët e para të janarit këtu….diku nga fundit i janarit do të jetë 95 për qind. Delta do të jetë në qarkullim edhe për dy javë, por nuk ka gjasë që të kthehet më.”

Mjeku sugjeroi se në varësi të variantit duhet të ndryshojë edhe sjellja jonë, megjithëse se shtoi se virusi do të bëjë punën e vet, me apo pa masa. Por si mund ta dallojmë Deltën apo Omicron nga gripi i zakonshëm. Alimehmeti thotë se është vështirë të dallohen pasi kanë simptoma të ngjashme.

“Në aspektin praktik, Delta, gripi dhe Omicron shkaktojnë virozë respiratorë si dhimbje gryke dhe trajtohet si virozë. Nëse komplikohet më pas fillon trajtohet edhe pneumonia.”

Ndërsa analizonte disa grafikë që tregojnë ecurinë e Deltës dhe Omicron në vendin tonë apo në Kosovë, Alimehmeti tregon se pavarësisht në cilën ditë ndodhet një pacient i infektuar, me Omicron risku për vdekshmëri është shumë afër zeros.

Kurse me Deltën, rasti është ndryshe, nga dita e 10 mund të jetë risku më i lartë.

“Omicron shumohet më shumë në hundë e në grykë. 10-fish më pak në mushkëri, aty jepen format e rënda. Kjo është një nga arsyet pse kemi forma të lehta nga Omicron.”

Po ashtu, mjeku epidemiolog konfirmoi se me shumë gjasa nga pranvera dalim nga pjesa akute e pandemisë dhe virusi mund të kthehet endemik. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!