Situata paraqitet e rëndë në Berat, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum. Uji ka vërshuar në rrugët e qytetit.
Situata është duke u përkeqësuar në lumin Osum të Beratit. Reshjet e shiut kanë rritur nivelin e ujit dhe për pasojë lumi ka dalë nga shtrati në disa zona.
Disa familje që jetonin pranë lumit janë larguar dhe sistemuar në ambjente të tjera.
Në orët e mbrëmjes, uji i lumit Osum ka vërshuar në pedonalen e qytetit të Beratit. Po ashtu disa banesa janë përmbytur në Urën Vajgurore.
Sipas Emergjencave Civile, Berati është përfshirë në hartën e zonave që pritet të ketë përmbytje të mëdha në orët në vazhdim.
Edhe në Vlorë situata paraqitet e rënduar për shkak të fryrja e lumit Vjosë e ka rënduar situatën në qytet duke shkaktuar probleme në disa zona.
25 familje nga fshati Fermë i Novoselës janë evakuuar për shkak se rrezikoheshin nga përmbytjet. Ata janë akomoduar në Shkollën Industriale, në Pallatin e Sportit dhe në ish-godinën e komunës Novoselë.
Ndërsa rreth 7 mijë krerë bagëti janë larguar nga Novosela dhe u dërguan në zona të sigurta. Për shkak të motit të keq në të gjitha fshatrat e kësaj njësie administrative mungon energjia elektrike. Kritike situata është edhe në Bashkinë e Selenicës. Krahas prurjeve të mëdha të Vjosës kanë vërshuar edhe përrenjtë.
Disa segmente rrugore ndërmjet fshatrave janë aktualisht të pakalueshme. Ndërsa në Delvinë mësohet se është rrëzuar ura që shërbente për t’u lidhur me fshatin Vanë.
350 familje mbeten tashmë të bllokuara dhe nuk kanë asnjë mundësi komunikimi më rrugën nacionale./abcnews.al
https://youtu.be/r7Hy6cFxuRc