Del fotoja pas arrestimit/ Kush është Gëzim Çela që u kap në Kosovë, e shkuara e errët kriminale

schedule19:53 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 19:53 - 8 Dhjetor, 2023

Gëzim Çela i njohur si ‘baroni i drogës’ u arrestua këtë të premte (08 dhjetor) në Kosovë. Çela doli në përgjimet e operacionit “Flakë në det” i nisur në 15 gusht të këtij viti, ndërsa u shpall në kërkim nga SPAK në 9 tetor, kur edhe u arrestua shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj i dyshuar në mbështetje të aktivitetit kriminal.

Çelaj po ashtu njihej edhe si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.

Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine. Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.

Gëzim Çela banor i fshatit Fush-Kuqe, të Kurbinit. Po ashtu emri i tij del edhe në dosjen “Metamorfoza”. Në mesazhet që shkëmbejnë personazhet e kësaj dosje, Dorian Duli, që ishte një nga personat e shenjestruar për t’u vrarë nga grupi Bajri, por edhe Lulzim Kulla, dhëndri i familjes Lici, komentohet si lidhje e fortë e Gëzim Çeles.

Kujtojmë se në para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale.

Lidhur me këtë arrestim reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke paralajmëuar se askush që vazhdon të fshihet nuk do t’i shpëtojë forcës së ligjit.

“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, ka thënë Balla.