Deklaroi se do të rikthehej te Reali, Bale: Ky është plani, vendos pas Euro 2020!

schedule17:20 - 29 Mars, 2021

schedule 17:20 - 29 Mars, 2021

Deklarata e Gareth Bale se dëshiron të rikthehet te Real Madrid bëri shumë bujë në Angli dhe jo vetëm. Lojtari, i cili është në huazim te Tottenham, theksoi se ndodhet tek anglezët për të rigjetur formën e tij, por që shpreson të kthehet në Spanjë. Të gjitha këto, ai i sqaroi edhe një herë në konferencën para duelit me Republikën Çeke.

“Komentet për të ardhmen time? Kam ende shumë ndeshje përpara Europianit. Për sa i përket të ardhmes sime kontrata ime më kthen në Madrid dhe pikërisht këtë kam deklaruar. Nuk mendoj se kam fyer apo mosrespektuar dikë. Kjo është ligjërisht ajo që duhet të bëj. Real Madrid është klubi im dhe kam rënë dakord të luaj për Tottenham deri në fund të sezonit e më pas të rikthehem sërish atje. Ky është plani deri më tani”, deklaron uellsiani.

 

“Arsyeja pse u largova nga Spanja ishte se kërkoja të luaja më shumë dhe të shijoja sërish futbollin. Padyshim që me ardhjen e verës unë do të kthehem te Reali e më pas të shikojmë. Sigurisht që unë dua të luaj, por gjëra të tjera mund të më pengojnë. Në futboll nuk ka të bëjë vetëm me atë që dëshiron.

Kështu që për momentin jam përqendruar vetëm në këtë sezon. Kam një ndeshje të rëndësishme me kombëtaren, një sezon për të përfunduar me Tottenham e më pas Euro 2020 me kombëtaren. Pas gjithë këtyre dhe pushimeve verore ne do të ulemi të bisedojmë për zgjidhjen më të mirë dhe shpresoj që të gjithë të jemi të kënaqur”, përfundon Bale. /abcnews.al