Deklaratat raciste kanë bërë që shefi i shërbimeve sekrete gjermane të shkarkohet nga detyra. Por lëvizja e ministrit të Brendshëm për largimin e zyrtarit që kishte shprehur simpati për ekstremistët e djathtë konsiderohet në të njëjtën kohë shpëtimi i qeverisë së kancelares Angela Merkel.
Qeveria gjermane ka njoftuar të martën shkarkimin e shefit të shërbimeve sekrete të brendshme, pas akuzave se kishte shprehur simpati për të djathtën ekstreme. Vendimi për zëvendësimin e Hans Georg Masen i jep fund debateve që vunë në dukje përçarjet e thella në qeverinë e kancelares Angela Merkel. Masen, i cili kishte vënë në dyshim origjinalitetin e pamjeve filmike që tregonin ekstremistët e djathtë që u viheshin pas emigrantëve në qytetin lindor Çemnic, mësohet se do të caktohet në një post tjetër në Ministrinë e Brendshme. Social-demokratët e qendrës së majtë, që janë pjesëtarët e rinj të bllokut konservator të Merkel, kërkuan largimin e Masen nga detyra që ai mbante që prej vitit 2012.
Në një komunikatë të qeverisë gjermane thuhet se vendimi për largimin e Masen ishte marrë nga ministri i Brendshëm Horst Zehofer. Në njoftimin zyrtar saktësohet se në detyrën e ri, Masen nuk do të ketë lidhje me veprimtarinë e shërbimeve sekrete. Ndërkohë, mediat gjermane e kanë komentuar vendimin si një masë të qeverisë për të shpëtuar fytyrën, që nuk është gjë tjetër përveç se një promovim i Masen, që mes të tjerash është kritikuar edhe për keqmenaxhim të disa hetimeve të profilit të lartë. Aktet e dhunshme të ekstremistëve të djathtë në Gjermani, më të rëndat në disa dekada, ndodhën në fillim të muajit pas vrasjes së një shtetasi gjerman, për të cilën u fajësuan dy emigrantë. Komentet e Masen për pamjet filmike binin ndesh me ato të Merkel, që i cilësonte veprimet “një shprehje të qartë të urrejtjes” që nuk mund të tolerohej./abcnews.al