Dedja: Besëlidhja nuk ka shanse kundër nesh, luhet fati i futbollit shkodran

schedule14:58 - 1 Gusht, 2020

schedule 14:58 - 1 Gusht, 2020

Vllaznia do të luajë fatet e sezonit ditën e nesërme. Kuqeblutë përballen në “Loro Boriçi” kundër Besëlidhjes (19:00) në finalen për një biletë në Superiore. Trajneri i ekipit shkodran, Hysen Dedja është shfaqur i bindur në konferencë për shtyp për suksesin e djemve të tij, teksa thekson se Vllaznia nuk duhet të jetë më në kushte të tilla.

DUELI – “Kuptohet, që është shumë e rëndësishme. Në takimin e fundit me Pogradecin konstatova se kemi të bëjmë me një kundërshtar që duhet respektuar, por nuk mendoj asnjë gjë tjetër. Në bisedat që kam pasur me skuadrën, me kohën që kam në dispozicion, me kushtet e mira që na ka krijuar sponsori Alban Xhaferi, kam pasur kohë edhe për seancat stërvitore. Kuptohet që janë fatet e sezonit në lojë. Është një impenjim maksimal për të gjithë, janë të përgjegjshëm të gjithë”.

SKUADRA – “Mendoj vetëm rezultatin pozitiv, që është fitorja për 90 minuta. Kjo kuptohet, nuk arrihet vetëm me dëshirë, duhet që dëshira të jetë brenda, por ka një logjikë loje, që do ta nxjerrim me anë të logjikës. Pa dashur të ulim vlerat e kundërshtarit, por cilësia në skuadrën tonë është më e mirë se e kundërshtarit. Lojtarët janë në gjendje krejt optimale, shikoj edhe këto seanca stërvitore që kemi filluar në këto ditë që kam pasur kohë në dispozicion”.

OBJEKTIVI – “Rëndësia e ndeshjes është fati i sezonit, është për ecurinë e skuadrës, për ecurinë e individit. Gjithsecili, duke filluar nga unë deri tek futbollistët që janë aktorët kryesorë në fushën e lojës, duhet të jemi të kujdesshëm. Besoj se do të japim maksimumin”.

 

Vllaznia duke festuar një gol

MOTIVIMI – “Shiko, nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë kushedi se çfarë. Të gjithë i kemi në krah, duke filluar nga kryebashkiakja, administratori, sponsori dhe tifozët, të cilët erdhën edhe dje në stërvitje për të na përkrahur. Por besoj se edhe pa këtë mbështetje, ata janë të motivuar maksimalisht për të bërë më të mirën. Të gjithë janë të vetëdijshëm se fatet e kësaj skuadre, pavarësisht si erdhëm deri këtu, janë në dorën tonë. Ne e kemi sjellë deri këtu situatën, ne do ta nxjerrim Vllazninë prej saj. Pra është një 90 minutësh shumë i rëndësishëm për ne”.

SITUATA – “Më vjen shumë keq, por tani nuk kam kohë të analizoj si është Vllaznia. Është koha që të mendoj ta kalojmë nesër këtë sfidë, jo me sukses por me shumë sukses. Mendoj që ditën e hënë, klubi dhe sponsori, duhet të bëjnë një analizë të gjatë, që të dihet që Vllaznia të ketë atë emër që ka pasur. Nuk duhet të gabohet prapë, nuk mund të shkojë Vllaznia përsëri në kështu problemesh që kemi pasur këto vitet e fundit”.

E ARDHMJA – “Ajo është në dorë të klubit dhe sponsorit. Pasi të shihet puna ime që kam bërë këto dy muaj, do të vendosin. Atë nuk e di unë, di që kam firmosur për deri datën e nesërme”.

PLORI – “Me respektet më të mëdha për Elvis Plorin, një ish-sportist i imi, djalë shumë i edukuar dhe një profesionist i vërtetë, por këtu duhet të ndahet gjërat. Jemi kundërshtar nesër, motivet tona janë shumë te mëdha, luhet fati i futbollit të Shkodrës, prandaj dhe Plori nuk ka asnjë shans të fitojë ndaj Vllaznisë. Fjala mbijetesë duhet hequr njëherë e mirë nga fjalori i futbollit shkodran. Përqendrimi është maksimal dhe besojmë vetëm tek suksesi nesër”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!