Nevil Dede, trajneri i Tiranës, para ndeshjes së nesërme me Laçin doli para mediave dhe foli për situatën skuadrën e tij, kundërshtarin dhe sulmuesin e tyre, nigerianin Kyrian Nwabuzeze, ndërkohë që nuk mbeti jashtë diskutimit me mediat edhe merkato. Sigurisht u fol edhe për objektivat dhje nevojën që Tirana ka për të fituar sa më shpejt.
KOHA PËR TË FITUAR – “Në çdo ndeshje është koha për të fituar Tirana. Është mirë që ekipi të rikthehet sa më shpejt te rezultatet pozitive. Kampionati ka një koeficient vështirësie shumë të lartë. Janë një grup skuadrash që nuk kanë diferencë dhe rezultatet e ngushta dhe barazimet po e tregojnë diçka të tillë”.
LAÇI – “E kuptoj që në çdo pyetje gjithmonë do jetë theksi te fitorja dhe tre pikët. Laçi ka investuar shumë, e njoh mirë presidentin dhe ambientin atje. Kam punuar vite më parë në atë klub dhe kam një eksperiencë të mirë, kështu që kam edhe një raport të mirë. Normal fusha e Laçit është në parametra të mira dhe meriton komplimente. Presidenti merret me detajet dhe është miku im. Do kem edhe emocione edhe miqësore, jo sportive. Ai meriton dhe gëzon respektin tim. Do shkoj të takoj një mik dhe do luftojmë fort në fushën e lojës. Besoj se do jemi sërish miq pas ndeshjes”.
NGJESHJA E KALENDARIT – “Intensiteti është i madh, ndeshjet janë të ngjeshura. E rëndësishme është që ne të mos kemi më dëmtime. Gradualisht po rikuperojmë Bathën, Toshevksin dhe Torassën, që po shkojnë në 100 për qindëshin e tyre. Shpresojmë që shumë shpejt të na bashkohet edhe Çelhaka, pasi Cale kthehet në janar. Të gjitha këto na e vështirësojnë punën, por nuk do të thotë që është e pamundur. Ka shumë elementë dhe lojtarë të tjerë, të rinj, brenda grupit, që po mundohen të japin më të mirën. Ka diçka që është fakt dhe nuk e mohon dot askush, që kur të vijnë rezultatet këta lojtarë do të rriten edhe më shumë. Intensiteti i ndeshjeve është i lartë dhe kjo është diçka që nuk fshihet dot”.
NWABUEZE – “Vjet ka bërë një sezon shumë të mirë, është lojtar me kualitet. Golashënuesi i sezonit të shkuar dhe Laçi bëri një investim tek ai. Gjithsesi ne jemi Tirana dhe do mundohemi ta fitojmë ndeshjen, duke neutralizuar pikat më të forta të kundërshtarit. Duke e bërë këtë do e kemi më të thjeshtë. Meritojnë respekt cilësitë dhe organizimi që ka ajo skuadër”.
EKIPI I DERBIT – “Ditët e pakta në përgatitje mund të më japin mua mesazhin për të bërë ndonjë rotacion. Gjithsesi forma që po tregojmë është e mirë, veç rezultateve. Skuadra po rritet, zgjedhjet nuk janë të kushtëzuara. Ato janë vendime natyrale, jo të kushtëzuara”.
OBJEKTIVI DERI NË FUND TË VITIT – “Objektivi maksimal dihet, Tirana do titullin dhe e ka detyrim. Kjo përkthehet që në çdo ndeshje duhen marrë tre pikët. Janë gjashtë ndeshje dhe do tentojmë 18 pikë. Ne mundohemi të bëjmë maksimumi, lojtarët po ashtu. Objektivi është maksimal, pastaj ka edhe specifika të ndryshme në ndeshje të ndryshme. Rezultatet ndikohen nga situata dhe momente. Ndonjëherë nuk ke fat, por do kërkojmë ta bëjmë vetë fatin”.
GJYKIMI – “Do shkojmë në Laç dhe do të jetë një luftë sportive e fortë. Do jetë një lojë nervash dhe duhet të përgatitemi për çdo situatë, siç janë edhe goditjet standarde. E rëndësishme është ta projektojmë këtë ndeshje dhe ta përjetojmë. Se sa ia kemi dalë, rezultatet nuk na japin të drejtë. Ne do përballemi denjësisht, sa i takon gjykimit nuk është korrekte të flas kur ata bëjnë mirë e kur bëjnë keq. Kampionati është maratonë e gjatë dhe fiton ai që e ka merituar, plus minus ndonjë vendim të gjyqtarëve”.
NGOO DHE HASANI – “Në një skuadër, sidomos te Tirana, lojtarët e mirë janë të mirëpritur. Shpresoj të kemi sa më shumë emra të tillë si ata që përmendet, pa harruar vlerën e këtyre që janë tani. Këta që janë tani janë shumë të rëndësishëm. Në të ardhmen do mendojmë edhe për këta emrat që të intrigojnë dhe të bëjnë të besosh se mund të përforcohesh”. /abcnews.al