Kastriot Dermaku provoi ditën e djeshme emocionet e debutimit në Serie A. Mbrojtësi i Parmës e nisi si titullar sfidën kundër Genoas dhe u aktivizua për 75 minuta. Ekipi i tij fitoi 5-1 dhe lumturia e lojtarit të kombëtares u dyfishua.
27-vjeçari ka rrëfyer pas ndeshjes emocionet e provuara. Dermaku tregohet modest dhe nuk i kursen falënderimet. Në stadium ishte i pranishëm edhe babai i tij, i cili kishte udhëtuar nga Kosova për të qenë afër djalit të tij në këtë moment fantastik.
“Ishte një emocion i madh për mua. Jam 27 vjeç dhe është pothuajse e pabesueshme. Shokët ma bënë shumë më të lehtë dhe të gjithë zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer. U treguam të aftë për të vuajtur kur duhej dhe u treguam efikas përpara. Shënuam në çdo rast që krijuam.
Ndihemi mirë, por nuk duhet të fluturojmë. E kemi të qartë objektivin tonë, duhet të punojmë fort në çdo stërvitje me motivimin dhe stimujt e duhur. Falënderoj klubin, trajnerin, gjithë stafin dhe shokët për besimin kundrejt meje. E ndjeja që kishte ardhur momenti im. Është ndeshja e parë në Serie A dhe të gjithë e dimë se sa i vështirë është ky kampionat.
Eksperienca me Shqipërinë ka qenë shumë e rëndësishme. Falënderoj të gjithë stafin e kombëtares. Më kanë besuar shumë edhe kur nuk luaja me klubin tim. Kam fituar minuta dhe kam luajtur në ndeshje të rëndësishme: me të vërtetë një eksperiencë e shkëlqyer.
Dje ishte në stadium babai im dhe jam i lumtur për debutimin. Ai kishte ardhur nga Kosova për të më ndjekur. Tani duhet të fokusohemi tek ndeshja me Interin. Jemi të qartë për vështirësin e kësaj përballje, duhet të tregojmë përqendrim të madh. Jemi gati për këtë sfidë“, përfundon mbrojtësi shqiptar i Parmës. /abcnews.al