Debati për kolaboracionistët, Nano: T’i mbajmë se mezi i kemi

schedule20:14 - 16 Nëntor, 2018

schedule 20:14 - 16 Nëntor, 2018

Kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit në Shqipëri ka krijuar një debat të ri në lidhje me njerëzit që bashkëpunuan me fashizmin dhe nazizmin. Në monologun që pati këtë të premte, Mustafa Nano u ndal pikërisht tek ata që u quajtën kolaboracionistë. Ai lexoi diçka që kishte shkëputur nga libri i tij më i ri, “Provocateur”. Sipas Nanos, vendet e tjera kanë mundësinë të heqin personalitete nga historia, por t’u heqësh shqiptarëve personazhe të rëndësishme si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja apo edhe Ernest Koliqi, i ke hequr shumë.

“Kanë mbërritur në atdhe eshtrat e Mit’hat Frashërit, dhe tok me to, ka mbërritur edhe një debat i ri, që ka të bëjë me qëndrimin ndaj atyre që në një masë apo në një tjetër, në një  formë a në një tjetër, bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin, e që ndryshe quhen kolaboracionistë. Po ju lexoj diçka që e kam shkëputur nga libri im i fundit “Provocateur”, i cili sapo ka dalë në treg. Është një pasazh që ka të bëjë me këtë argument. Kolaboracionistët shqiptarë nuk kanë qenë nazistë. Ata bashkëpunuan me nazistët, që ishin përveç të tjerash pushtues të vendit, por nuk e bënë këtë për shkak të frymëzimeve naziste. Përkundrazi, ata ishin në një farë mënyrë kolaboracionistë in bona fide. Motivimet i kishin patriotike. Kjo nuk i nxjerr të larë, të kuptohemi. Nuk është se motivimet patriotike duhet t’i pranojmë si alibi për çdo marrëzi e prapësi, por ata janë dënuar si tradhëtarë të kombit shqiptar. Dhe kjo nuk është e drejtë. Nuk kanë qenë tradhtarë. Nuk dua t’i shfajësoj, të kuptohemi. Bashkëpunimi me nazizmin mbetet një njollë në jetën e atyre që e bënë këtë zgjedhje. Sidomos në rrethanat që të tjerë zgjodhën të luftonin, të rrezikonin e të jepnin jetën. Nuk mund të mos u jemi mirënjohës këtyre të fundit, sidomos kur marrim në konsideratë faktin që Shqipëria pas lufte, veç në sajë të tyre, u rreshtua me fituesit. Në një rast të kundërt, nëse shqiptarëve nuk do t’u regjistrohej asnjë kontribut kundër nazi-fashistëve, apo më keq akoma, t’u regjistroheshin veç gili-vili me ta, kushedi se ç’do ndodhte me Shqipërinë pas Luftës II. Por ju ftoj, megjithatë, të shkoni me mendje në ato kohë, ju ftoj të shkoni me mendje si shqiptarë, dmth si pjesëtarë të një kombi të vogël e të dobët, që vetëm dy dekada më herët kish krijuar shtetin e vet gjithashtu të dobët e që ishte mbajtur gjallë, e po këndellej, falë patronazhit italian të paraLuftës. Shqiptarët nuk kishin miq. Grekët e serbët ishin armiqtë tanë me nam. Austro-hungarezët nuk ekzistonin më. Turqit po merreshin me sfidat e tyre të brendshme, që ishin të shumta pas perëndimit të lavdisë osmane. Të tjerët na shihnin ashtu siç ishim, një vend i mbetur prapa botës. Vetëm Italia “gjeti arsye” të merrej me ne. Logjika e saj ishte kolonialiste dhe në këtë kuptim italianët e kishin pushtuar Shqipërinë përpara se ta pushtonin de facto. Por shqiptarët veç dobi patën në këto rrethana. Një pjesë prej tyre e shihnin praninë italiane në vendin e tyre si një dhuratë nga Zoti. Dhe nuk është se e kanë pasur gabim. Periudha 1925-1939, të cilën ne e lidhim me Zogun, por që në fakt duhet ta lidhim me kolonializmin italian, është për shqiptarët më e mbrothëta e më e paqta në historinë e 100 viteve të fundit, që është dhe historia shtetërore e shqiptarëve. Atëherë, pse u dashka të tronditemi që një pjesë shqiptarësh e kanë mirëpritur pushtimin italian në vitin 1939? Kjo ishte njëra nga zgjedhjet që mund të bëhej në atë kohë. Zgjedhja tjetër, ajo e rezistencës ndaj pushtuesit, është prore e fisme dhe e lavdërueshme (duhen nderuar gjithnjë ata që e bënë), por nuk mund të thuhet se ishin të çmendur, të liq, të poshtër, tradhëtarë ata që pushtimin italian e shihnin me sy të mirë. Fakti që e gjithë elita zgjodhi mosrezistencën ndaj pushtuesit, apo bashkëpunimin me pushtuesin, nuk e damkos këtë elitë si tradhtare. Përkundrazi, duhet të na bëjë ne të tjerëve që ta lidhim këtë rreshtim me arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë me tradhëtinë apo poshtërsinë. Nuk mund të jetë e tërë elita e poshtër apo renegate. Historianët atdhetarë që i mëshojnë pa u lodhur tezës mbi kuislingët shqiptarë nuk është se i bëjnë nder Atdheut e kombit nëse cilësojnë si tradhëtare një elitë të tërë. Sidomos, kur mendon se është fjala për të njëjtën elitë, e cila vetëm disa dhjetëvjeçarë më parë dhe kjo është shumë e rëndësishme kish qenë në frontin e parë të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë apo për formimin e forcimin e shtetit të ri shqiptar. Norvegjezët mund t’ia fusnin një shkelm Quislingut, i cili nuk vlente asgjë për ta (ai ishte një personazh politik me rëndësi periferike). Francezët mund të mos ndjenin asnjë keqardhje për dënimin e një gjenerali si Philippe Petain, sepse ata kishin plot gjeneralë të tjerë për të nderuar. T’u heqësh Petain-in e Quislingun nga historia francezëve e norvegjezëve, nuk u ke hequr asgjë. Por t’ia heqësh Shqipërisë Mit’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Anton Harapin, etj, i ke hequr shumë. Dhe ke lënë një zbrazëti të madhe brenda saj. Kështu që mjaft i shejtanizuam këta njerëz, që engjëj nuk kanë qenë, megjithatë. Le t’i mbajmë, pasi mezi i kemi, kështu si i kemi. Le t’i mbajmë edhe me këtë prapësi që kanë bërë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!