De Biazi viziton ekspozitën e kombëtares në Euro 2016

schedule16:57 - 24 Janar, 2018

schedule 16:57 - 24 Janar, 2018

Xhani De Biazi vizitoi ekspozitën për pjesëmarrjen e kombëtares në Euro 2016. Ish-trajneri i Shqipërisë vlerësoi suksesin në Francë, dhe i dha mbështetje presidentit Duka në garën për kreun e Federatës.

Kënaqësinë pa dyshim e pati të madhe për këtë vizitë.

Xhani De Biazi u kthye jo në vendin e krimit, por në ekspozitën e hapur për të kremtuar suksesin e madh të tij dhe të kombëtares shqiptare.
Ish-trajneri i përfaqësueses vizitoi pikërisht sallën në Muzeumin Kombëtar ku ishin pozuar fotografitë dhe objekte të rëndësishëm të lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e kampionatit europian në Francë.

Italiani 61-vjeçar u ndje vërtet mirë të shikonte vetveten, stafin dhe futbollistët e tij në kohën e triumfit më të madh në Euro 2016.

Kombëtarja u kualifikua për herë të parë në finale të një turneu të tillë dhe u paraqit shumë mirë.

Xhani De Biazi: “Janë kujtime të pashlyeshme dhe që nuk do të harrohen kurrë, sepse ishte një përvojë kaq e rëndësishme dhe kaq emocionuese, për të gjithë, për lojtarët, Federatën, për mua, për tifozët, për ju gazetarët. Mendoj se ishte një eksperiencë e papërsëritshme dhe shpresoj të mos mbetet e tillë dhe që Shqipëria në të ardhmen të ketë sërish mundësinë për përjetuar të njëjtat emocione si ne në këtë periudhë”.

De Biazi ishte tepër i kërkuar, padyshim më i kërkuari nga të gjithë ata që e kishin vizituar ekspozitën.

Ai nuk u lodh duke nënshkruar autografe, duke bërë fotografi me tifozë të ndryshëm.
Madje, i dha kënaqësi edhe një çifti të ri që kishin ardhur ta takonin, duke mbajtur në krah edhe fëmijën e tyre bebe.

Përveçse për Euro 2016-ën dhe ekspozitën, ish-trajneri u pyet për garën në Federatë mes Dukës dhe Finos.

Kush do të fitojë?

Xhani De Biazi: “O Zot. Nuk e di, nuk kam shkopin magjik. Mund të them vetëm se Duka ishte një person shumë i rëndësishëm në 5 vitet e gjysmë të miat. Ishte i rëndësishëm për Federatën. Mendoj se ato gjëra që realizoi, i bëri për të mirën e vendit, të sportit, për të mirën e futbollit dhe mendoj se në këtë moment askush nuk e ka si ai, përvojën dhe kapacitetin për ta çuar edhe më përpara futbollin shqiptar. Ai e menaxhoi shumë mirë”.

De Biazi u shpreh se ka marrë një tjetër ofertë pune, por e ka hedhur poshtë, ndërsa theksoi se nuk ka ndonjë urgjencë që të kthehet në stol si trajner./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!