DASH: Shqipëria, e rrezikuar nga pastrimi i parave

schedule12:05 - 1 Maj, 2018

schedule 12:05 - 1 Maj, 2018

Shqipëria mbetet ndër vendet kryesore përsa i përket pastrimit të parave. Kështu konfirmohet në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2017.

Në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, vendi ynë klasifikohet si ndër më kryesorët në listën e vendeve të prekura nga fenomeni i pastrimit të parave, për vitin 2017. Në paragrafin për strategjinë e kontrollit të narkotikëve, DASH thotë se Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrim parash për shkak të korrupsionit të gjerë dhe institucioneve të dobëta.

“Shqipëria ka një ekonomi të madhe ‘cash’ dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore,” thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas Departamentit të Shtetit, në vendet ku pastrohen para, institucionet financiare kryejnë transaksione, të cilat përfshijnë shuma domethënëse parash që burojnë nga trafiku i drogës.

“Ndërtimi, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri”, theksohet në raport.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, institucionet shqiptare nuk janë efektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat, paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht.

Shqipëria u rikthye në listën e zezë të pastrimit të parave vitin e kaluar për shkak të rritjes masive të trafikut të drogës dhe parasë kriminale në ekonomi. Edhe këtë vit, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbajtur Shqipërinë në të njëjtën listë duke i kërkuar qeverisë të forcojë luftën ndaj pastrimit të parave, dhe të konfiskojë pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!