Dakut i duhet gol “kuqezi”/ Rubin pret që sulmuesi të shkëlqejë me kombëtaren, agjenti i futbollit Gurckaja: Nuk largohet dot në dimër

schedule17:25 - 30 Nëntor, 2024

schedule 17:25 - 30 Nëntor, 2024

Pritet të ndodhë diçka e tillë që të realizohet plani.

Mirlind Daku ka mbi vete një etiketë prej 10 milionë eurosh, dhe Rubin i Kazanit shpreson që ta realizojë këtë operacion financiar me shumë përfitim në Rusi.

Gjithsesi, sipas agjentes së futbollit, Timur Gurckaja, kjo shumë e klubit nga Tatarstani është përtej mundësive financiare të klubeve të Premier Ligës ruse, ndoshta edhe të Zenitit të Shën Peterburgut apo atyre të Moskës.

Gurckaja deklaroi se do të duhet që Daku të shkëlqejë me kombëtaren që të rrisë interesin për veten, ndërsa agjencia e specializuar e futbollit, “transfermark” nga Gjermania e vlerëson kartonin e tij në 6 milionë euro.

“Nga klubet ruse nuk ka interes për Dakun. Interes kanë klube të mesëm nga Italia dhe Gjermania, por që janë në pjesën e poshtme të tabelës. Për një klub të vogël në Itali, 10 milionë euro janë pak si tepër. Kampionati rus nuk ta tregon cilësinë. Nëse Daku do të kishte shënuar gol në ndeshjet eliminatore me Shqipërinë, mundej edhe që të kishin paguar për të”

Gjithsesi, pak ditë më parë ish-sulmuesi i shquar i Rusisë, Artjom Xhuba deklaroi se Daku për momentin ka formë më të mirë sesa dikur Kristiano Ronaldo apo Ibrahimoviç.

Ndërkaq, shoku i tij i sulmit tek Rubini, Ruslan Bezrukov, bën edhe ai një kompliment të madh, duke thënë se shqiptari mund të luajë fare mirë në Premier Ligën angleze, dhe se stili i tij i ngjan atij të Erling Halandit.

Së fundi, ish-trajneri i Rubinit, Roman Sharonov, thotë se ekipi nga Kazani varet shumë nga Daku, siç e tregoi humbja e thellë në Kupën e Rusisë me CSKA-në e Moskës, në të cilën sulmuesi nuk ishte titullar.

Ylli kuqezi ka 8 gola e 3 asistë në 15 ndeshje të Premier Ligës ruse këtë sezon /abcnews.al