Daja: Rrezikojmë, fitorja me Bylisin pikë kthese. Në start nuk besonte kush te ne

schedule10:19 - 10 Prill, 2021

schedule 10:19 - 10 Prill, 2021

Tifozët presin që Partizani të rikthehet nesër te fitorja dhe shënimi i golit, diçka që nuk është arritur në tre ndeshjet e fundit. Ekipi i Ilir Dajës pret Bylisin të dielën, sfidë që nis prej orës 16:00. Trajneri i ekipit kryeqytetas foli rreth këtij dueli në konferencën për shtypin, aty ku u ndal edhe te gjendja e skuadrës së tij.

Ne nuk kemi shkuar te fitorja në dy ndeshjet e fundit, por kemi qenë dominues. Na ka munguar finalizimi. Kemi punuar përpara portës gjatë kësaj jave, për të rritur këtë element të rëndësishëm. Kemi gjithë kontingjentin në dispozicion. Ka ardhur koha që përveç lojës së bukur, duhet të marrim edhe rezultatin. Do futemi në fushë për fitore kundër Bylisit, me gjithë vështirësitë që ka. Vetëm fitorja të bën të mundur që të vazhdojmë drejt kreut me potence dhe forcë. Të gjithë ndeshjet që kanë mbetur janë finale.

Shtatë vite pa fituar në shtëpi kundër Bylisit? Nuk e di çfarë është bërë më përpara. Me Bylisin në përgjithësi janë ndeshje të vështira, pasi është një ekip që ka një tjetër mënyrë të interpretimit të lojës. Besoj që do ta kemi të vështirë, por do rrezikojmë në maksimum për të marrë fitoren. Nuk mendoj ta copëtoj kampionatin, ne jemi me diferencë në renditje. Nëse nisemi nga vazhdimësi, kemi bërë një kampionat shumë herë më të mirë se Bylisi, që nuk është një ekip i lehtë për t’u mundur. Kemi potencialin dhe motivin e duhur për të marrë tre pikët nesër.

I kemi rritur pritshmëritë me lojërat dhe rezultatet që kemi zhvilluar. Në start asnjë nuk pretendonte që Partizani do të ishte për titullin kampion. Jemi dy pikë larg kreut, jo vetëm që kemi ndryshuar pritshmëritë me lojërat dhe rezultatet, por besojmë se jemi në luftë për objektivin maksimal, edhe pse nuk e kemi pasur këtë objektiv në fillim të sezonit.

Në merkaton e janarit nuk është bërë çudi e madhe, ekipi nuk ndërtohet në merkaton e janarit. Presim që në ato vende ku jemi përforcuar në merkaton e janarit, t’i shohim në vazhdimësi. Kemi pasur vetëm katër mbrojtës, nuk po justifikohem, por Partizani ka bërë një punë të mirë dhe jemi në garë për titull. Besoj që Bylisi e ka elementin e agresivitetit në lojën e vet. Ne kemi një mënyrë tjetër, por ne duhet të jemi shumë të shpejtë në tranzicione.

Ky është agresiviteti që kemi ne si grup, që ta fusim Bylisin në ritmin tonë për të qenë agresivë për kapjen e hapësirave, sidomos hapësirave të shënimit të golit. Nuk jemi ankuar për fushën e “Elbasan Arena”, përveç një rasti kur ishte mot tmerrësisht i keq. në të njëjtën gjendje është edhe “Air Albania”. Kushtet për të luajtur futboll janë optimale, na ngelet vetëm t’i shfrytëzojmë këto mundësi që na krijon klubi për të pasur një performancë sa më të bukur.

Loja e bukur? Për të qenë konkret dhe preciz, kemi qenë dominues në 65 minuta në Shkodër, më pas loja u barazua. Asnjë ekip tjetër nuk e ka dominuar Vllazninë kryesuese në aq minuta. Oshilacione kanë pasur të gjithë, edhe skuadrat për titull, do të vazhdojnë t’i kenë. Kemi gjëra për të përmirësuar, por në raport me ndeshjen e fundit kemi qenë më dominues në 2/3 e lojës. Kjo të bën që të besosh se i kemi forcat e duhura për të vazhduar ashtu siç kemi bërë deri tani, ndoshta edhe më fort.

Marrja e tre pikëshit me Bylis ndoshta do të na kthente në optimizëm dhe anën psikologjike ashtu siç kemi qenë përpara disa takimeve. Mendoj se është një pikë kthese që na duhet patjetër për të vazhduar edhe për fazën e fundit të kampionatit. Nuk dihet si do të mbulojë kundërshtari mungesat që ka. Edhe ne kemi pasur mungesa. Ne duhet të jemi ata që duhet të drejtojmë lojën nesër për të shkuar te fitorja“, deklaroi trajneri i ekipit kryeqytetas. /abcnews.al