Daçiç: Kurrë nuk do ta japim veriun

schedule15:15 - 3 Shtator, 2018

schedule 15:15 - 3 Shtator, 2018

MInistri i Jashtëm serb Daçiç ka njoftuar se Beogradi kërkon një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen me Kosovën. Ai gjithashtu paralajmëroi se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga veriu i Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në një emision të televizionit Pink ka treguar lidhur me qëllimet e Beogradit lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Korrigjimi i kufijve me shqiptarët është thjeshtë një ide, por nuk ka të tjera”, nënvizoi ai.

Daçiç shtoi më tej se të gjithë po hapin derën për dialog, por sipas tij nuk do të diskutohet për dy tema, për Kosovën të jetë autonome pa Serbinë dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Një kompromis po kërkohet. Ne jemi në atë pikë”, u shpreh ai për televizionin Pink.

Sipas Daçiç vendet Evropiane janë penduar që e kanë njohur kaq shpejt pavarësinë e Kosovës, dhe tani duhet të rishikojnë vendimet e tyre. Kryediplomati serb thotë se në varësi të drejtimit që do të marrë dialogu, Beogradi do të vijojë të marrë presion për njohjen e Kosovës, dhe që veriu t’i përkasë Kosovës.

“Ky presion do të manifestohet duke ngadalësuar rrugën drejt BE-së”,  shpjegoi Daçiç duke shtuar se kjo mund të shtyjë ndokënd në Kosovë “të bëjë plane për një sulm të Kosovës në zonat Serbe, për të cilat Serbia duhet të reagojë, dhe në këtë mënyrë mund të hyjë në konflikt me KFOR-in, pastaj të kërkojë ndihmën e Rusisë”.

Sipas ministrit të Jashtëm, “erëra të reja po fryjnë” në SHBA, duke hapur mundësi për serbët dhe shqiptarët të gjejnë një zgjidhje kompromisi.

“Këto që po flas nuk dolën nga hiçi, por ne i kemi kërkuar prej vitesh. Qëllimi ynë është një konferencë ndërkombëtare dhe përveç BE-së, të gjithë të jenë garantues të asaj që do të dakordohet. Serbia do të mbajë neutralitetin ushtarak”, u shpreh Daçiç.

Në fund, ai nënvizoi se Beogradi nuk do të heqë dorë kurrë nga veriu i Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!