Daçiç i kundërpërgjigjet Thaçit

schedule17:37 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 17:37 - 1 Dhjetor, 2017

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se Uashingtoni nuk ka propozuar të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, administrata amerikane madje ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjtën nënvizoi se ka marrë konfirmimin nga zëvendëspresidenti Pence për këtë çështje.

Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është propozim zyrtar i administratës amerikane. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Shefi i diplomacisë së beogradit në një prononcim për Zërin e Amerikës në versionin serb thekson:

Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë: “Të gjitha ato që i thonë Thaçi dhe Haradinaj u përgënjeshtruan absolutisht nga administrata amerikane, madje edhe ato rreth bisedimeve për Federica Mogerinin. Kjo do të thotë se amerikanët i thanë Federica Mogerinit, se nuk qëndrojnë prapa deklaratave shqiptare. Asambleja e Përgjithshme e ka transferuar dialogun në nivel evropian, dhe çdo formë e re e ndryshimit të formatit do të nënkuptonte edhe bisedime rreth këtij formati. Atëherë edhe Serbia do të duhej të propozonte ndonjë vend tjetër që nuk është anëtare e BE-së”.

Të enjten presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për mediat serbe bëri me dije se mori konfirmimin nga zëvendëpresidenti amerikan, Mike Pence se Shtetet e Bashkuara do të përfshihet më shumë në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje kreu i shtetit e konsideroi të domosdoshme përfshirjen e Uashingtonit në këtë proces./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!