Armando Cungu, trajneri i Laçit, njihet si tifoz i anglezëve dhe skuadrës së Liverpool. E famshmja “You never walk alone”, sipas tij shërben si frymëzim për të përballuar këtë situatë të vështirë që ka kaluar ai dhe miliona njerëz anembanë botës, për shkak të pandemisë.
Në studion e “Fan Zone”, që transmetohet në Supersport, Cungut ia krahasojnë Laçin me Liverpool. “Presim sa më shumë tifozë të Liverpool të mbështesin Laçin. Ndoshta është në ADN, por unë jam një natyrë që kërkoj shpirt gare në fushë, përveç cilësisë, për të fituar një ndeshje. Kjo është për mua e pazëvendësueshme. Nëse nuk ke grintë, nuk vlen asgjë. Jo rastësisht jam tifoz i Liverpulit”, shton shkodrani.
TERRENET DHE DËMTIMET – Kurbinasit kanë një stadium model dhe Cungu është i kënaqur: “Stadiumi i Laçit ka një ndër 2 fushat më të mira në Shqipëri. Edhe fusha e stërvitjes i ka kushtet shumë të mira. Stadiumin e përdorim në moment të caktuara, në bazë edhe të kushteve atmosferike”, shprehet trajneri i Laçit.
“Problemet fizike mund ta penalizojnë skuadrën. Kjo është një situatë e paprovuar më herët. Ishin dy muaj pushim dhe mundësitë kanë qenë të cunguara. Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë të varfër. Tjetër gjë flasim, tjetër gjë është realiteti. Kemi 1000 vrima, nuk mbyllen kurrë vrimat e shqiptarëve.
Mos harrojmë që java e parë e Bundesliga solli 9 dëmtime. Mos harrojmë sa lart është Gjermania, çfarë kushte kanë. Imagjinoni çfarë mund të ndodhë në Shqipëri. Ka qenë një situatë ku duhet të mbyllej kampionati, por dikush do të digjej padrejtësish.
Nuk na lejohet të bëjmë miqësore. Ka shumë paradokse, sa nuk lejohet as të bësh ndeshje miqësore. Po e le sportin 1 ditë, të le një muaj, po e le 1 vit, duhet ta lesh fare. E kuptoj që nuk ka faj askush dhe duhet të mbyllet një kampionat”.
VLLAZNIA – “Është një emër i madh te futbolli dhe ka ndikim te çdo dashamirës. Jam në krah të sportistëve. Kam qenë edhe unë te Vllaznia dhe kanë shkuar 4 muaj pa marrë rroga. Çdo njeri ka hallet dhe llogaritë e vërteta. Nuk arrij të kuptoj pritjen e madhe. Në fund të fund lekët merren në fund të sezonit, por nuk bie dakord nga ajo pamje dhe ai takim.
Një ekip amatoresk. Nuk mund të bjerë Vllaznia në atë nivel. Ka zyra Vllaznia, nuk mund të bëhen takimet nën pisha, nën plepa, me fanella portokalli, jeshile, me xhinse. Kriza kalon çdo ekip, por duhet t’i kalosh me dinjitet dhe personalitet. Nuk është boks. Ke një emblemë, një histori, një qytet, që kërkon seriozitet dhe duhet ta ruash me personalitet”, tha Cungu./abcnews.al

