Situata me COVID-19 po vazhdon të jetë e qetë në Kosovë, përkundër që një valë e re, e një varianti i ri i këtij virusi kanë filluar të përhapen në shtete të shumta. Derisa shtetet po regjistrojnë qindra e mijëra raste të reja me virus, Kosova po regjistron edhe më pak se 20 raste.
Ministria e Shëndetësisë dje ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit Kosova ka regjistruar 10 raste të reja të infektuara me COVID-19.
Krahasuar me vendin, Serbia gjatë kësaj kohe ka regjistruar 1 mijë e 675 raste të reja të infektuara me virus dhe 41 viktima.
Numër të madh të rasteve të reja të infektuara ka regjistruar edhe Maqedonia. Ky shtet dje ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 419 raste të reja të infektuara me koronavirus dhe 8 viktima.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri dje ka raportuar 346 raste të reja me COVID dhe 4 viktima.
Ndërsa, Mali i Zidje ka raportuar 196 raste të reja pozitive me virus dhe 2 viktima.
Një situatë edhe më e rëndë me pandeminë po raportohet në Gjermani, Holandë, Britani e shtete tjera.
Gjermania dje e shënoi shifrën më të lartë ditore të viktimave të Covid-19 që nga muaji shkurt përderisa po lufton me valën e katërt të pandemisë. Në 24 orët e fundit në Gjermani u regjistruan 527 të vdekur nga koronavirusi dhe 69 mijë e 601 raste të reja të infektuara me këtë virus.
Holanda ka regjistruar dje më shumë se 18 mijë raste të reja me virus, ndërsa Zvicra më shumë se 5 mijë.
Kujtojmë që së fundmi ka filluar të përhapet edhe një variant i ri i COVID-19, ai i quajtur Omicron.
Infektimi me këtë variant sipas të dhënave paraprake, mendohet se mund të jetë shumë i transmetueshëm dhe më rezistent ndaj trajtimit aktual, duke përfshirë edhe vaksinat.
Varianti i ri i COVID, Omicron, është përhapur në 50 vende, 19 prej tyre shtete të SHBA-së. Kështu tha të martën Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky, ka bërë të ditur të marten se varianti i ri Omicron është përhapur në 50 vende të botës./Express