Covid 19 nuk zgjedh! Mjekja infeksioniste: Moshat e reja po shfaqin shenja të rënda

schedule17:14 - 22 Korrik, 2020

schedule 17:14 - 22 Korrik, 2020

Covid 19 nuk zgjedh! Mjekët në spitalin Infektiv tregojnë se javët e fundit po përballen me fluks të shtuar pacientësh që kanë nevojë për ndihmën e tyre dhe të sëmurë të moshave të reja, që po shfaqin shenja të rënda të  Covid-19.

 “Janë të sëmurë që paraqiten nga simptomat mesatare deri në ato më të agravuara. Në këto ditë që jemi në një fluks më të ri të rasteve i kemi parë të gjitha grupmoshat. Duke filluar në nga 20-30 vjeçarët deri tek grupmosha e tretë. Në momentin që flasim relativisht mund të themi që janë të rinj, kemi një pacient në terapi intensive”, tregon mjekja infeksioniste Entela Kolovani.

Ecuria e Covid 19 shprehet mjekja infeksioniste Entela Kolovani varet nga sëmundjet e tjera të pacientit dhe koha që ai paraqitet në spital.

Rastet që të sëmurë me koronavirus shkojnë vonë në spital nuk mungojnë.

“Nëse pacientët vijnë sepse kanë qëndruar gjatë në shtëpi me probleme sidomos respiratorë të rënda, apo janë të sëmurë që mjekohen me ilaçe komplekse, sidomos ato me probleme kardiovaskulare apo diabet, sigurisht që predispozita për të mos shkuar mirë është më e lartë sesa tek pacientët e tjerë, që janë më të shëndetshëm apo vijnë në ditët e duhura në spital”, u shpreh ajo.

Rregulli i artë i sëmundjeve infektive sipas mjekëve është parandalimi.

Infeksionistja Kolovani përsërit thirrjen drejtuar qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik dhe për të mos neglizhuar mbajtjen e maskës./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!