Covid-19 mori 11 infermierë, Rama: Fëmijët e të rënëve mes bluzave të bardha s’do të jenë vetëm

schedule18:48 - 12 Maj, 2021

schedule 18:48 - 12 Maj, 2021

Sot në Ditën Botërore të Infermierëve, kryeministri Edi Rama është duke mbajtur fjalën e tij para infermierëve nga e gjithë Shqipëria, duke kujtuar edhe ata që humbën jetën në krye të detyrës.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri solli në vëmendje se me ligjin e ri që qeveria e tij do të miratojë në mandatin e tretë, fëmijët e të rënëve në krye të detyrës nuk do të jenë vetë. Për ata sipas kreut të qeverisë, do të kujdeset Republika e Shqipërisë derisa të arrijnë moshë madhore.

“Nderimet bëhen në fund të kësaj lufte. I jam shumë mirënjohës urdhrit të Infermierëve, për këtë mundësi që na jep, që të nderojmë në përulësi dhe mirënjohje ata të cilët nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’u përcjellë shprehjen më të sinqertë të respektit dhe mirënjohjes.

Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se cilido prej jush, mund të ishte njëri prej atyre që nuk e përballuan dot deri në fund luftën me virusin.

Kjo e bën jashtëzakonisht të çmuar rezistencën tuaj dhe papërkulshmërinë e secilit prej jush në këtë luftë nervash të jashtëzakonshme. Ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni vetëprivuar nga kontaktet normale për të ruajtur familjet tuaja, që t’u përkushtoheni atyre që pa ju do e kishin pasur të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku. Edhe pse fjalët nuk mjaftojnë, realisht, nga zemra një faleminderit shumë të madh për të gjithë ju që jeni këtu, edhe për ata që nuk janë këtu sot për shkak të detyrës.

Duke parë fotografitë e kolegëve që humbën jetën në këtë përpjekje më duket vendi i duhur për të përsëritur një angazhim që e kam marrë qysh përpara ditës së zgjedhjeve, që vendimin e parë të qeverisë së re, në do t’ia kushtojmë atyre që i quajmë fëmijë të republikës.

Vajzat e djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve, shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Fëmijët e të rënëve mes bluzave të bardha nuk do të jenë vetëm, pasi me këtë ligj të ri, deri në ditën e daljes të pavarur në jetë. Do të kujdeset Republika e Shqipërisë.

Akti heroik që humbi jetën për të shpëtuar të tjerë nga flakët, dhe gjëja që shteti bën si rezultat i vendimeve të marra më parë është t’i dorëzojë një certifikatë dhe t’i lidhi familjes një pension shumë modest.” /abcnews.al/