Situata e vështirë e shkaktuar nga koronavirusi ka dëmtuar turizmin në Shqipëri. Ndër zonat e prekura është edhe qyteti i Lezhës që po përballet me një goditje të vështirë në këtë sektor.
Tonin Uldedaj, administrator biznesi në një lidhje të drejtpërdrejtë me “ABC News” theksoi se duhet një mbështetje dhe një studim i detajuar nga specialistët që biznesi të mos shkojë drejt falimentimit.
“Lezha është një vend që mbahet vetëm me turizëm. Ka rreth 5 mijë të punësuar në turizëm. Kemi marrë goditjen e parë që në 26 nëntor pas tërmetit dhe në momentin që filluam të rimerrnim vetën, ndodhi situata e vështirë e shkaktuar nga koronavirusi. Tonin Uldedaj, u shpreh se edhe nëse do të dalim nga vetëizolimi turizmi do ta ketë të vështirë për tu ringritur sepse është pjesa më e goditur.
Ai theksoi se nuk ka asnjë masë konkrete nga qeveria për ti dhënë përparësi turizmit.
“E kuptojmë që situata është shumë e vështirë. Prenotimet do të vijnë në një kohë shumë të vonuar edhe nëse karantina do të hapet nesër. Kemi mbi një muaj të izoluar”, u shpreh ai.
Si mund të ndërhyjë shteti në këtë drejtim?
Uldedaj: Përveç pagave që familjarët duhet të marrin duhet të ketë një plan edhe për bizneset pasi mund të shkojnë drejt falimentimit.
A duhet menduar që të evitohen taksat për sektorin e turizmit?
Uldedaj: Duhet një grup specialistësh që të ulen dhe të shikojnë çdo plan mbështetës. Nëse punonjësit do të marrin “pagat e luftës”, po pas “luftës” ku do të shkojnë sepse janë drejt falimentimit.
Sa ju vlen në sektorin e turizmi kredia 100 milion euro?
Uldedaj: Nuk vlen. Nuk mund të marrësh lek kredi për të paguar punonjësit në një kohë që do të duhen 6 muaj për tu rimëkëmbur, është një dorë drejt falimentimit./abcnews.al