Kryeministri i shtetit të Turingisë në Gjermani ka njoftuar zhvillimin e një testimi masiv për fëmijët në rrethin e Hildburghausen, një nga zonat e nxehta të koronavirusit në Gjermani, për të zbuluar në çfarë mase kontribuojnë në rritjen e shpejtë të rasteve.
Rrethi i Gjermanisë Lindore regjistroi një rekord prej 603 rastesh për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit, më shumë se katër herë incidenca mesatare e Gjermanisë prej 140, sipas Institutit Robert Koch (RKI) për sëmundjet infektive.
“Tani do të kryejmë testimet e para masive për fëmijë dhe të rinj, falas, duke filluar të martën e ardhshme,” i tha Bodo Ramelow transmetuesit ARD. “Atëherë do të dimë për herë të parë sa të sigurta janë shkollat dhe kopshtet?”
Rrethi Hildburghausen me 63,000 banorë ka aplikuar një bllokim rajonal që është më i rreptë se ai në fuqi në shtetin e Turingisë.
Kancelarja Angela Merkel ra dakord me udhëheqësit e 16 shteteve federale të mërkurën për të zgjatur dhe forcuar masat kombëtare kundër koronavirusit të paktën deri në 20 dhjetor, por lehtësoi rregullat mbi festat e Krishtlindjeve për të lënë familjet dhe miqtë të festojnë së bashku.
Sidoqoftë, një tjetër zgjatje e afateve të mbylljes deri në janar mund të jetë e mundur. Ndërsa shumë gjermanë mbështesin masat e qeverisë, ka edhe një numër të lartë të cilën janë kundër. Pasi policia u përplas me mijëra demonstrues në Berlin një javë më parë, rreth 400 njerëz u mblodhën në qytetin Hildburghausen të mërkurën në mbrëmje për të protestuar ndaj kufizimeve të reja. /abcnews.al