Egjipti ka marrë 854,400 doza të vaksinës Oxford AstraZeneca, sipas Ministrisë Egjiptiane të Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Dozat u dërguan përmes programit COVAX – një aleancë e udhëhequr nga Gavi, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) dhe OBSH, me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave Covid-19 në çdo vend në botë .
Sipas ministrisë, grupi i parë i popullsisë që do të marrë vaksinën do të jenë punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kronike.
Hala Zayed, Ministre e Shëndetësisë, shprehu mirënjohjen e saj për Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Egjiptin në mbajtjen në kontroll të pandemisë.
Egjipti raportoi 699 raste të reja dhe 39 viktima në 24 orë.
Kjo ka çuar numrin e përgjithshëm të personave të infektuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë në 202,131 dhe një total prej 11,995 viktimash, sipas shifrave të Ministrisë Egjiptiane të Shëndetësisë./abcnews.al