Copa America “pasaporta”, Leo Messi në “sprint” për Topin e Artë numër shtatë

schedule17:20 - 11 Korrik, 2021

schedule 17:20 - 11 Korrik, 2021

Lionel Messi natën e sotme ka përjetuar një nga ditët më të pritura dhe të lumtura në karrierën e tij të gjatë si futbollist. Një trofe me Argjentinën ishte shndërruar në një tabu dhe mbrëmë Messi e shkërmoqi atë, duke mundur Brazilin, rivalin historik, në “folenë” tyre, mitikun “Maracana”.

12 gola shënoi Argjentina në 7 ndeshje në këtë kompeticion dhe në 9 prej tyre ishte i përfshirë direkt kapiteni. Leo Messi ishte golashënuesi më i mirë me 4 rrjeta të tundura, si dhe dha 5 asiste për shokët. Gjithashtu ai ndau çmimin e lojtarit më të mirë me Neymar.

Edhe përse me Barcelonën nuk arriti të marrë më shumë se Kupa e Mbretit, Messi me këtë fitore mund të themi se ka certifikuar triumfin e shtatë për trofeun e “Topit të Artë”. Nga janari ai është përfshirë në 47 gola, më shumë se çdokush tjetër në planet.

Padyshim Messi ishte gjysma e Argjentinës në këtë kompeticion dhe është më i avantazhuar se gjithë të tjerët. Për të marrë këtë post, Leon e ka ndihmuar edhe performanca e ulët e ekipeve të yjeve si Mbappe a Ronaldo, që mund ta kërcënonin për çmimin e më të mirëve.

Chelsea fitoi Champions League, por londinezët e Thomas Tuchel janë të përqendruar në lojën ekipore, pa mundur të nxjerrin një individualitet të qartë, që mund të konkurrojë fort për çmimin e më të mirit. N’golo Kante dhe Jorginho janë kandidatura, por vështirë të ndalin Messin.

Ky i fundit pritet të thellojë akoma më shumë rekordin e tij për numrin e Topave të Artë. Për momentin është ndalur në 6, por i 7-i është shumë pranë dhe Leo do mund të shkëputej me dy çmime të tillë nga rivali i tij, Ronaldo, që shkëlqeu gjithashtu këtë sezon, por nuk arriti triumfe ekipore, çka e disavantazhojnë. /abcnews.al