Conte: Betejë me Parmën, të mos merremi me Juven. Brozovic? I di kërkesat e mia

schedule16:09 - 25 Tetor, 2019

schedule16:09 - 25 Tetor, 2019

Interi arriti një fitore jetike kundër Dortmundit në Champions League. 2-0 fituan djemtë e Antonio Contes në “San Siro”, aty ku do të rikthehen përsëri nesër në mbrëmje për të mposhtur Parmën.

Trajneri zikaltër e vlerëson shumë ekipin emilian dhe tregon pikat e forta të kundërshtarit në konferencën për shtyp. Conte ndalet edhe te reparti i sulmit. Dëmtimi i Alexis Sanchez ka prishur punë, por akoma nuk është marrë një vendim për pasuesin e tij.

Në fund idetë e tij, rivaliteti me Juventusin dhe një koment për Stefano Sensin e Marcelo Brozovic. Të dy po bëjnë mirë, kroati po shkëlqen, por ende duhet të punojë fort dhe të përmirësohet.

KUNDËRSHTARI – “Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe nuk duhet t’iu lëmë hapësira. Parma është e frikshme në kundërsulm dhe ka lojtarë vdekjeprurës si Gervinho. Kanë një ekip të fortë dhe do të jetë kënaqësi të përballemi me ta. E dimë që na pret një duel i vështirë dhe jemi gati për betejë.”

SULMI – “E nisëm sezonin me ide të qarta dhe e dinim që kemi tre sulmues me karakteristika të ndryshme në skuadër: Lukaku, Martinez dhe Sanchez. I dimë mirë edhe karakteristikat e Politanos. Ai nuk është një sulmues i parë, por mund të luajë në rolin e sulmuesit të dytë. Kemi edhe Espositon si sulmues të pestë. Ishim të qetë në këtë aspekt, por më pas u dëmtua Sanchez, një humbje e rëndësishme për ne. Për merkaton do të diskutojmë me drejtuesit dhe do të gjejmë zgjidhjen më të mirë”.

IDETË – “Nuk kemi nevojë për 9 muaj për të patur një ide të saktë loje. Fakti që luajmë çdo tre ditë nuk na lejon të merremi shumë me detajet. Djemtë e kanë të qartë se çfarë kërkoj unë, jam i lumtur me ta”.

SENSI – BROZOVIC – “Stefano i ka karakteristikat për të luajtur përpara mbrojtjes, por preferoj ta vendos pak më përpara. Ai është një lojtar inteligjent dhe di të lëvizë mirë mes linjave. Ka një pasim të mirë dhe e njeh golin. Brozovic po bën mirë, por unë kërkoj më shumë nga ai. E di këtë gjë dhe duhet të përmirësohet për t’u bërë ndër më të mirët në rolin e tij. Ka mundësi për t’u përmirësuar në vertikalizime, pasimin e fundit dhe në fazën defensive”.

JUVENTUSI – “Nuk duhet të merremi me ekipet e tjera. Fakti që jemi shumë afër Juventusit më pike duhet të na japë kënaqësi. Duhet të japim gjithmonë maksimumin dhe të vazhdojmë në këtë mënyrë. Kemi nevojë për kohë për t’u përmirësuar. Jemi në rrugën e duhur, të shohim se ku mund të mbërrijmë, por nuk duhet të kemi pengje në fund”. /abcnews.al