Leroy Sane është shumë afër kalimit te Bayern Munchen. Kampionët e Gjermanisë e kërkojnë prej kohësh anësorin e majtë ofensiv të Manchester City. 24-vjeçari luan në të njëjtin rol si Kingsley Coman.
Ky i fundit nuk e sheh aspak problem afrimin e lojtarit të kombëtares gjermane. Coman flet hapur për Sport Bild, duke deklaruar se ia ka dalë të gjejë hapësira edhe kur në skuadër luanin emra të rëndë si Robben apo Ribery.
“Kur unë erdha te Bayern Munchen, gjeta këtu Robben, Ribery dhe Douglas Costa. E keni parë të gjithë që nuk ka qenë problem për mua diçka e tillë. Është gjë e mirë për skuadrën kur ka shumë lojtarë të nivelit të lartë.
Nëse Sane bashkohet me ne, nuk do të ishte aspak problem për mua. Mjafton që klubi të mos më thotë që nuk ka nevojë më për mua. Kam një kontratë deri në 2023 me Bayernin“, deklaron lojtari francez. /abcnews.al