Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vizituar të dielën në mënyrë të fshehtë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është takuar me presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed, sipas një burimi izraelit të cituar nga CNN.
Sipas burimit, Irani ishte tema kryesore e diskutimeve, në një kohë kur bashkëpunimi i sigurisë mes Izraelit dhe Emirateve është forcuar ndjeshëm. Zyra e kryeministrit izraelit nuk e ka konfirmuar vizitën, ndërsa edhe autoritetet e Emirateve nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar. Vizita e raportuar vjen rreth një muaj para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael dhe në një periudhë kur Netanyahu po përballet me polemika të reja lidhur me paralajmërimet e pretenduara për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Sipas raportimeve të disa mediave, Emiratet dhe Egjipti mund ta kenë paralajmëruar Izraelin për një sulm të mundshëm nga Gaza përpara 7 tetorit.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe politike.
Ndërkohë, kundërshtarët e tij i kanë përdorur këto raportime për të kërkuar përgjegjësi për dështimet që i paraprinë sulmit. Izraeli dhe Emiratet kanë forcuar bashkëpunimin e tyre të sigurisë gjatë konfliktit me Iranin.
Sipas raportimeve, Izraeli madje ka vendosur sistemin mbrojtës Iron Dome në Emirate. Netanyahu nuk ka realizuar deri tani asnjë vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe që të jetë bërë publike


