“Çmenduria” me çmimin e naftës, pse prodhuesit janë gati të paguajnë blerësit

schedule15:09 - 21 Prill, 2020

schedule 15:09 - 21 Prill, 2020

Rënia e çmimit të naftës nën zero ka bërë që shumë prodhues të jenë gati dhe të paguajnë vetëm për të hequr rezerva të cilat nuk i magazinojnë dot. Por çfarë e ka shkaktuar një situatë e tillë dhe si pritet të përfundojë?

Për herë të parë në histori, çmimi i naftës ka zbritur nën zero. Treguesi kryesor i çmimit të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zbritur më shumë se 50 dollarë duke shkuar në minus 37 dollarë për fuçi.

Kjo do të thotë se shitësit e naftës janë gati të paguajnë vetëm për të hequr furnizimet e tyre. Por a nënkupton kjo, se nëse do të shkoni të furnizoni automjetin tuaj, nuk do të paguani, por do të jetë pika e karburantit që do ju paguajë ju?

Përgjigja është e thjeshtë jo!

Çmimi i benzinës është vetëm pjesërisht pasoja e drejtpërdrejtë e çmimit të naftës, pra e lëndës së parë. Kësaj i shtohet shpenzimi i rafinimit, transporti dhe taksat. Në Evropë ndër të tjera, çmimi i naftës nuk është ulur kaq shumë sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Evropë çmimi për fuçi ka zbritur nga 60 dollarë në 20, pra jo nën zero.

Arsyet e rënies së çmimit janë të dukshme. Efektet e karantinës në pjesën më të madhe të botës për t’u përballur me pandeminë e koronavirus, ka kufizuar shumë përdorimin e automjeteve, avionëve dhe mjeteve të tjera publike dhe private. Më pak lëvizje nënkupton më pak kërkesë për naftë. Kur kërkesat për një produkt bien, është e kuptueshme që dhe çmimi do të bjerë. Por për të ulur këtë çmim nën zero duhet të ndodhë diçka e veçantë.

Në këtë rast ajo që ka ndodhur është se kërkesa në krahasim me sasinë e naftës, të paktën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është ulur kaq shumë sa pronarët e rafinerive që transformojnë lëndën e parë në benzinë dhe karburante të tjera, nuk blejnë më.

Kjo pasi si pasojë e pandemisë së koronavirus, kërkesa për karburante do të jetë për shumë kohë e ulët. Prodhuesit e kanë gjetur veten në një situatë ku rezervat me naftë janë më shumë se hapësira fizike që kanë në dispozicion.

Këto ditë situata ka arritur në një pikë që prodhuesit kanë nisur të shpenzojnë para vetëm për të hequr rezervat të cilat nuk i magazinojnë dot.

Situata është e rëndë sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku shpenzimet për nxjerrjen e naftës janë shumë të larta. Një pjesë e konsiderueshme e naftës së nxjerrë në vend, i kushton një rafinerie deri në 50 dollarë për fuçi.

Në teori prodhuesit mund thjesht të mos prodhojnë më, në mënyrë që të kursejnë domosdoshmërinë për të gjetur mundësinë e magazinimit dhe me para. Por nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Një pus nafte, nuk ndizet dhe fiket me një çelës. Bllokimi i prodhimit kërkon kohë e dhe më shumë kohë duhet për rifillimin, pa llogaritur rrezikun që pusi të mos i rikthehet më prodhimtarisë së mëparshme.

Nëse situata do të vijojë e tillë, prodhuesit do të detyrohen të mbyllin aktivitetin, por deri tani janë të shumtë ata që janë përpjekur të rezistojnë në një treg armiqësor, duke shpresuar që të tejkalojnë vështirësitë pa ndërprerë prodhimin. Në mënyrë që të jenë gati për të rifilluar kur gjërat t’i rikthehen normalitetit

Gjërat mund të përmirësohen pak muajt e ardhshëm pas marrëveshjes së arritur nga organizata e vendeve prodhuese OPEK dhe Rusisë për reduktimin e prodhimit deri në 10 për qind. Kjo marrëveshje ishte shumë domethënëse por nuk ndaloi dot uljen e çmimit këto ditë.

Për të pasur sërish një nivel të qëndrueshëm çmimi, ndoshta dhe amerikanët duhet të reduktojnë ndjeshëm prodhimin e tyre. Në ndryshim nga Rusia dhe Arabia Saudite, prodhimi amerikan nuk mbështetet tek shoqëritë e kontrolluara nga shteti, të cilat mund të urdhërohen për të shtuar apo reduktuar; por drejtohen nga qindra sipërmarrje private të cilat rrezikojnë falimentimin nëse kriza zgjat.

Reduktimi i prodhimit amerikan rrezikon të shkaktohet nga një seri dështimesh zinxhir në sektor. Në fillim të muajit mars kur kriza nisi të ndihet, qeveria amerikane paralajmëroi një ndërhyrje për të shpëtuar sektorin të kalonte krizën. Janë të shumtë ata që mendojnë se ka shumë mundësi kërkesat e këtyre sipërmarrjeve të bëhen më të rënda javët e ardhshme. /abcnews.al/