Teuta pret të mërkurën Sheriff Tiraspol në “Niko Dovana”, në turin e parë të Champions League. Ndeshja do të luhet prej orës 19:00, ndërkohë që klubi durrsak nxjerr nesër në treg biletat.
Në njoftimin e bërë nga Teuta, paralajmërohet që nuk do të lejohen forma të organizuara të tifozëve. Ata që do të jenë në stadium duhet të mbajnë distancën sociale.
Sipas protokollit të UEFA-s, biletat do të jenë të personalizuara dhe çdokush që do të paraqitet në pikën e biletarisë pranë stadiumit “Niko Dovana” duhet të ketë me vete edhe një mjet identifikimi.
Sa i takon çmimit të biletave, në tribunën kryesore (A dhe B) do të kushtojnë 500 lek, kurse në tribunën ballore (C) 300 lek.
UEFA detyron klubet ta zbatojnë protokollin dhe tifozët duhet të jenë të pajisur me maska. Në hyrje ata duhet të bëjnë dezinfektimin e duarve, si dhe do t’u matet temperatura. Mes të tjerash tifozët duhet të ulen sipas numrit që kanë të shkruar në bileta, që të mbahet distanca.
Në total në stadiumin “Niko Dovana”, sipas udhëzimit të autoriteteve shtetërore, mund të jenë të pranishëm rreth 3400 tifozë. /abcnews.al