Kryeministri Edi Rama theksoi edhe hotelet do të taksohen me çmim reference nga viti i ardhshëm. Në konferencën për bilancin e sezonit turistik, kreu i qeverisë theksoi se ‘shteti nuk ka marrë atë që i takon’. Ai theksoi se dhomat e strukturave akomoduese kanë qenë plot, por nuk i kanë deklaruar.
“Mua më vjen shumë mirë që pagat në industrinë e turizmit janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme. Është një fakt, edhe nga deklarimet që janë bërë në sigurime shoqërore por edhe nga pjesa e padeklaruar sepse kemi një problem ne, meqë i kam këtu një pjesë, kemi një problem ne, që është problem i rritjes dhe është një problem i nevojës që të rritemi edhe më shumë.
Do rritemi bashkërisht, por nuk mund të rriteni vetëm ju dhe shteti të mos rritet. Në ç’kuptim? Në këtë marrëdhënie. Pra, e kemi vënë me shumë bindje ne TVSH 6% për hotelerinë. Më kujtohet atëherë kur Luan Bregasi dhe disa prej jush që ju njoh që kur kishit halle shumë të mëdha në një situatë ku nuk kishte asnjë shans të mendoje se mund të vinte kjo ditë që “Bëje 6% se do të formalizohet, do paguajnë të gjithë”. E bëmë 6% mirëpo lajmi i mirë është që ju keni fituar shumë më tepër dhe lajmi i keq është që ne nuk kemi marrë atë që na takon si shtet në arkën e të ardhurave nga kjo TVSH 6% që na duhet për këto gjërat e tjera sepse depuratorët janë një masë e përkohshme. Por me çfarë do t’i bëjmë deri në fund gjithë infrastrukturat e nevojshme?
Me çfarë do t’i shtojmë kapacitetet në të gjitha drejtimet? Me çfarë do të rrisim fondin e trajnimeve profesionale për sektorin? Si do t’i fuqizojmë shkollat profesionale? Me çfarë?
Me të ardhura. Jo se do të na i zgjidhë të gjitha kjo, por kjo është një pjesë e të ardhurave. Sikundër një pjesë tjetër e të ardhurave është që në Shqipëri këtë vit nuk ka pasur asnjë dhomë bosh, nuk ka pasur. Unë e kam pasur edhe nga eksperienca ime personale me miq që më kanë kërkuar dhomë kudo që të ishte. Nuk ka pasur.
Si shpjegohet që tek ato deklarimet tuaja keni qenë plot me dhoma bosh? Se mirë, dakord, një fundjavë keni sjellë vjehrrën dhe vjehrrin e keni mbajtur një dhomë, një fundjavë tjetër keni sjellë krushqit, ja dhe një fundjavë keni sjellë shokët e fëmijërisë dhe u keni thënë “Hajde futuni në një dhomë se…”. Prandaj, duhet të përgatiteni që vitin e ardhshëm do të keni një pagë, një referencë. Shteti do të marrë atë që mendon se i takon. Çfarë do marrë mbi, është çështje tjetër, por nën atë nuk ka shans.
Një referencë e thjeshtë, jo arbitrare, e krijuar mbi bazën e tregut. Ne e dimë shumë mirë sesa janë dhomat dhe mjafton të bëjmë një sondazh të thjeshtë profesional nga tatimet dhe kuptojmë shumë mirë sesa shitet një dhomë këtu e sa shitet një dhomë e një dhomë. Në ndërkohë, deklarimi i çmimeve është jo transparent, duke përfituar edhe nga fakti që me Booking, me këto e ato, bëhen lloj-lloj lojërash. Vitin e ardhshëm, e para, që ne nuk do pranojmë teori që “Kam pasur dhoma bosh”.
Një dhomë bosh për vjehrrin dhe vjehrrën do tua lëmë, por të gjitha të tjerat do t’i paguani, sipas intensitetit të sezonit, kuptohet, jo që në prill, por kur janë plot, janë plot. Kur janë në 10% apo 80%, janë 80%. E dyta, nuk ka shans më që të deklarohen çmime jo reale. Të njëjtën gjë si me ndërtuesit. Është shumë mirë që sipërmarrja të fitojë dhe ne jemi shumë të kënaqur sepse sa më shumë që sipërmarrja fiton, aq më shumë fiton vendi, aq më shumë fiton edhe shteti, por jo fiton sipërmarrja, vendi fiton për shkak të shërbimeve e të tjerë ndërkohë që Arka e Shtetit lëngon në raport me atë që duhet të marrë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë.”, theksoi Rama./abcnews.al