Cilët janë stilistët më të mirë në Shqipëri? Joni Peçi thotë emrat

schedule22:11 - 12 Nëntor, 2019

schedule 22:11 - 12 Nëntor, 2019

I ftuar mbrëmjen e sotme në Provokacija me gazetarin Mustafa Nano ishte stilisti  i njohur, Joni Peçi.

Stilisti prezantoi linjën e tij të parfumit “Enciklopedi” i krijuar në Francë. Sipas Pecit, kishte përzgjedhur Francën për krijimin e “Enciklopedisë”, pasi njihet si shtëpia e parfumit.

Pyetjes se nëse në Shqipëri kishte stilistë të mirë ose jo, Joni Peçi iu përgjigj:

“Mendoj që Shqipëria ka stilistë shumë të mirë, ka emra të ndryshëm, Ardi Asllani, Enada At’ Nikolla dhe emra të tjerë që operojnë në këtë treg, por ende nuk është kthyer në një industri të madhe siç e kam kthyer unë. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, jemi ende në fazat që kjo gjë nuk është kthyer në industri të madhe”.

Stilisti Joni Peçi theksoi se pjesa më e madhe e klientelës së tij, ishin emrat e famshëm të VIP-ave shqiptarë, por që nuk mungonin edhe njerëzit e thjeshtë.

Pjesë nga biseda:

Mustafa Nano: Ka një ide që shqiptarët vishen tmerrësisht keq…

Joni Peçi: Shqiptarët janë veshur tmerrësisht keq. Por tani kanë filluar të ndryshojnë pak. Dikur visheshin femrat keq por të paktën tentonin të visheshin. Më pas vazhdoi një periudhë tranzicioni shumë e gjatë për meshkujt që visheshin shumë keq, por tani kanë filluar që edhe meshkujt të përmirësohen.

Mustafa Nano: Po këta shqiptarët që janë në skenën publike?

Joni Peçi: I vetmi problem tani është që shqiptarët nuk dinë të zgjedhin veshjen e duhur në momentin e caktuar. Ke femra që vishen në punë me fustane “cocktail dress” i cili vishet pasdite apo në ndonjë cocktail, dhe ndërkohë shkojnë e veshin paraditeve në punë. Unë mendoj që veshja e paradites, dhe veshja në punë, është ajo që duhet të tërheqë më pak vëmendje, dhe duhet të jetë sa më komode, ashtu si e kërkon profesioni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!