Champions nis me supersfidën Liverpool-Paris SG

schedule17:34 - 18 Shtator, 2018

schedule 17:34 - 18 Shtator, 2018

Liverpool-Paris Saint Germain do të jetë ndeshja më e madhe e mbrëmjes së sotme në Champions. Anglezët jepen favoritë në duelin e orës 21:00 në stadiumin “Anfield”.

Nuk mund të fillonte më mirë se kaq.

Numri 2 i Championsit të kaluar përballë një fuqie të re që kërkon të dominojë, kjo do të jetë përballja e sotme në “Anfield” në orën 21:00.

Liverpool-Paris SG premton spektakël, mes dy ekipeve sulmues dhe në kërkim të aventurës, ndërsa rezultati as që mund të parashikohet.

Kompanitë e basteve japin favoritë vendasit.

Liverpool-i ka dyshimin më të madh, atë të sulmuesit Firmino që u dëmtua në sy në ndeshjen ndaj Tottenham-it në Premier, ndërsa kapiteni Henderson mund të kthehet më në fund në formacion, pas ngarkesës së Kupës së Botës.

Trajneri Jurgen Klopp bën këtë analizë.

“Duhet të jemi shumë të fortë në mbrojtje, pasi PSG është shumë e fortë në sulm, – u shpreh gjermani, – të kemi kujdes përpara zonës dhe brenda saj, pasi aty kundërshtari tregon cilësinë maksimale. PSG është një nivel shumë, shumë i lartë, por nuk ka pasur përballë kurrë një skuadër si ne”.

Yjet francezë, ndërkaq filmuan veten të lumtur në udhëtimin nga Parisi për në Angli.

Neymar, Kavani dhe gjithë të tjerët fluturuan pa probleme, dhe shpresojnë të arrijnë një rezultat pozitiv.

Gazeta e famshme franceze, “L’Ekip”, i këshillon: Një rrugë për t’u përshkuar!

“L’Ekip” ngacmon PSG-në duke përdorur foton më të njohur të albumeve të Bitëllsave, në rrugën e dëgjuar “Abei Ro”d” në Liverpul.

Kampionët e Francës nuk u stërvitën në “Anfield”, pasi e kishin bërë këtë gjë që paradite në Paris, ata thjesht shkelën tapetin e fushës ku do të luajnë sonte.

Trajneri Thomas Tuchel është optimist, ndërsa mban të fshehta për Neymar-in.

“E sigurt është që Nejmar do të luajë, por nuk mund t’iu them se në cilin pozicion, – u shpreh gjermani tjetër, – kjo mbetet sekret. Nuk dua të flas për favoritët, pasi nuk ka kuptim, por për ndeshjen. Është shumë e vështirë të luash ndaj ekipeve të drejtuar nga Klopi, dhe në atmosferën e “Anfield-it”, por gjithnjë ne japim maksimumin në situata të tilla”.

Dy ekipet kanë një precedent, në 1997 në Kupën e Kupave të Europës, kur Paris SG fitoi 3-0 në “Stade de Princes”, dhe Liverpool-i u përgjigj me shifrat 2-0 në “Anfield”.

Parizienët u kualifikuan dhe arritën në finale, ku u mundën nga Barcelona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!