Champions League/ “Djalli” zbret në “ferrin” gjerman, PSG e Manchester City kërkojnë fitore në transfertë

schedule10:36 - 4 Tetor, 2023

schedule 10:36 - 4 Tetor, 2023

Pas përfundimit të përballjeve të para, të raundit të dytë, të fazës së grupeve, të UEFA Champions League, ku u shënuan plot 28 gola, mbrëmjen e kësaj të mërkure do të zhvillohen dhe 8 sfida të tjera, ku padyshim spektakli nuk mungon, sidomos kur në fushë zbresin skuadrat e “grupit të ferrit”.

Kështu, në sfidat e grupit E, “loc colchoneros” të Atletico Madrid do të presin në “Metropolitano Stadium”, kampionët holandezë të Feyenoord, ku padyshim objektivi kryesor është sigurimi i 3 pikëve të para të këtij kompeticioni, me “bardhekuqtë” të pritet të përfitojnë dhe nga mungesa e “bomberit” meksikan të Feyenoord, Santiago Gimenez. Në sfidën tjetër të këtij grupi, skocezët e Celtic do të presin në “shtëpinë” e tyre, “shqiponjat” e Lazio, ku padyshim favoritët mbeten vendasit, duke llogaritur këtu dhe faktin dhe kampionët e Premiership janë të “pathyeshëm” në “Celtic Park”.

Në grupin F ose i quajtur ndryshe, “grupi i ferrit”, “kuqezinjtë” e Milan do të udhëtojnë drejt transfertës tejet të vështirë të “Signal Iduna Park”, aty ku do të tentojnë të “thyejnë” vendasit e Borussia Dortmund, me këta të fundit, që prej 2 vitesh janë të pamposhtur në “fortesën” e tyre. Në përballjen tjetër të këtij grupi do të përplasen “milionat arabe”, me “bardhezinjtë” e Newcastle që presin në “St.James’s Park”, “gjigandët” francezë të Paris Saint-Germain, teksa do të bëjnë gjithçka për të gjetur pikët e para të këtij grupi.

Në grupin G do të kemi një përsëritje të sfidës së raundit të 1/16-ve, të edicionit të kaluar të Champions League, ku kampionët në fuqi të Manchester City do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku në “Red Bull Arena” do të priten nga “demat” e Leipzig, në një përballje që si zakonisht pret një “lumë” golash, ndërsa në sfidën tjetër, kampionët e Serbisë, Crvena Zvezda do të presë në Beograd, “homologët” e Zvicrës, Young Boys, në një përballje, e cila pritet të përcaktojë skuadrën, që do të pozicionohet në vendin e 3-të në këtë grup.

Ndërkaq, në grupin e fundit, grupin H, “katalanasit” e Barcelona do të udhëtojnë drejt “ferrit” porutgez të “Estadio do Dragao” aty ku i presin vendasit e Porto, të cilët po ashti si Celtic kanë rezervuar përherë surpriza në “shtëpinë” e tyre, duke shtangur jo pak “gjigandët” e Evropës, ndërsa në përballjen tjetër, belgët e Antwerp, skuadër pjesë e së cilës është dhe “legjionari”, Albion Muja do të presin në “shtëpinë” e tyre, kampionët ukrainas të Shakhtar Donetsk. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!